
Lëvizja Besa i ka paraqitur tre kushtet e sajë për bashkëpunim me subjektet politike pa plotësimin e të cilave as nuk do të nisë bisedimet. Kryetar i Lëvizjes Besa Bilall Kasami, pas takimit me ambasadorin holandez Vuter Plomp tha se BESA do të koalicionojë vetëm me parti të cilat nuk kanë persona të inkriminuar, që do të pranojnë Ridefinimin dhe me kusht që gjithë marrëveshja për formimin e Qeverisë të jetë publike për qytetarët. I pyetur nga gazetarët nëse ka marrë ndonjë ftesë nga Ali Ahmeti për takim, Kasami tha se nuk ka një ftesë të tillë por edhe nëse ndodh kjo, ata nuk do të largohen nga parimet dhe platforma e tyre politike.
“Për momentin nuk kemi asnjë ftesë nga BDI për takim dhe platformë të përbashkët. Ne kemi platformën tonë dhe pikat, parimet tona me të cilat ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me çdo subjekt politik në Maqedoni”, deklaroi Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa.
I pyetur për rivotimin në Tearcë të ditës së diel, Kasami tha se nuk do të japin asnjë sygjerim se për kë duhet të votojnë banorët e atij vendi pasi votimi duhet të jetë i lirë. Ai u fokusua më shumë ne periudhën pas shpalljes së rezultatit finale të zgjedhjeve.
“Çdo votues ka të drejtë të vendos ashtu siç është më mirë të vendos… Shpresojmë se pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve politikanët do të reflektojnë dhe do ta kuptojnë se qytetarët duan të jetojnë në kushte normale dhe duan integrim në BE, e pas kësaj shpresoj se të gjithë partitë do të ulen në një tavolinë për të vazhduar reformat të cilat nisën para zgjedhjeve”, tha mw tej ai.
Kasami tha se Maqedonisë i duhet një marrëveshje e re politike e cila përfshin vazhdimin e mandatit të Prokurorisë Speciale, dhe formimin e një Gjykatë Speciale. Kjo për shkak të nevojës urgjente për dekriminalizimin e shoqërisë së Maqedonisë.
Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/
BESA ka tre parakushte për të hyrë në qeveri by tvshenjaofficial