Sekretari i PD-së për Çështjet Ndërkombëtare, Arben Kashahu, i ftuar në emisionin “Front line” të gazetares Marsela Karapanço në “News 24” ka komentuar ndër të tjera edhe shpalljen e ish-kryeministrit Sali Berisha “non grata”.
Kashahu theksoi se shpallja e Berishës non grata nuk është mesazh për ndonjë parti politike në vendin tonë, kurse shtoi se elektorati i PD-së është më pro perëndimori në Shqipëri.
“Amerika po përdor instrumentet e saj, një nga instrumentet që përdor është edhe shpallja non grata e disa individëve. Jam i sigurt që nuk është mesazh drejtuar një force politike. Në rast se dikush shpallet non grata e bëhet kryeministër, mund të kemi ndoshta ndonjë problem. Por në rastin konkret, shumica e anëtarëve të PD-së janë pro amerikanë, janë pro perëndimorë, që kanë parë Amerikën si hapësirë të lirisë, që është përfshirëse dhe jo përjashtuese. Elektorati i PD-së është më pro perëndimori. Në PS mund të kemi nostalgjikë ndaj sovjetikëve e ndaj kinezëve a Beogradit”, tha Kashahu.
Arben Kashahu vlerësoi se Rama ka bërë gjithçka që të minojë procesin e integrimit të Shqipërisë.
“Rama tha se për tetë vjet do e bëjë Shqipërinë anëtare të BE-së. Edi Rama duket qartë se është futur në një retorikë të panjohur më parë, kur etiketon BE-në dhe fuqitë perëndimore. Ka ndodhur një diplomaci vaksinash gjatë kësaj kohe. Rama nuk ka sytë nga Perëndimi dhe kjo është e qartë. Rama ka bërë gjithçka të minojë procesin e integrimit të Shqipërisë. Rama e ka vënë BE-në në pozitë shumë të vështirë. Franca nuk ka problem të brendshëm në raport me integrimin, thjesht do që të plotësohen kushtet. Shumë vende europiane mendojnë se nuk kemi plotësuar kushtet për integrimin në BE. Nuk ka ndodhur që vetëm Maqedonia e Veriut ta bllokojë integrimin e Shqipërisë. Opozita është shtyllë e demokracisë në çdo vend. Uroj që të kemi hapje negociatash, por më duket shumë e vështirë. Duhet finalizuar ky proces, jo se e meriton qeveria, por qytetarët shqiptarë e kanë të nevojshme”, u shpreh Kashahu.
Në lidhje me vizitën e Palmerit në Kosovë, Kashahu nënvizoi se nuk mund të ketë pajtim me serbët, nëse ata nuk kërkojnë falje për krimet e luftës.
“Palmer dhe Lajçak kanë vizituar Prishtinën. Duket se të dy janë bashkë në një agjendë të përbashkët, për të folur bashkë në të njëjtën gjuhë me autoritetet, që të arrihet një iniciativë për marrëveshje nga shteti i Kosovës. Nuk ka pajtim mes shqiptarëve dhe serbëve, pa pasur falje nga serbët. Është në rrugën e mbarë, por më duket proces që do të marrë shumë kohë”, deklaroi Kashahu.



