Hetimi ndaj ish-zv.kryeministres Belinda Balluku, ka prekur edhe një kompani të projektimit dhe arredimit. Me autorizim të Gjykatës së Posaçme, hetuesit kanë kryer një kontroll në ambientet e kompanisë “Atelier 4”, ku kanë marrë dokumente dhe materiale që lidhen me projektimin e brendshëm të një vile luksoze në Palasë.
Sipas të dhënave nga hetimi, dokumentacioni i sekuestruar mund t’u shërbejë hetuesve për të verifikuar pronësinë, financimin dhe mënyrën e përdorimit të vilës, e cila ndodhet në kompleksin rezidencial dhe turistik “Green Coast”.
Kjo pasuri është bërë pjesë e pistave të hetimit ndaj Ballukut, pasi SPAK dyshon se vila mund të lidhet me ish-zyrtaren e lartë, edhe pse pasuria nuk rezulton e regjistruar drejtpërdrejt në emrin e saj. Lidhja konkrete mes Ballukut dhe pronës mbetet për t’u provuar gjatë hetimit.
Belinda Balluku po hetohet nga SPAK për dyshime që lidhen me korrupsionin dhe pastrimin e parave. Ajo është gjithashtu e pandehur në një çështje që lidhet me procedurat e prokurimit për tunelin e Llogarasë dhe lotet e Unazës së Madhe të Tiranës.
Pak ditë më parë, Prokuroria e Posaçme vendosi zgjatjen me tre muaj të afatit të hetimeve ndaj saj.
Balluku është paraqitur në SPAK në kuadër të hetimit, ndërsa vijon të hetohet në gjendje të lirë. Kërkesa e SPAK për marrjen e autorizimit për arrestimin e saj nuk u miratua nga mazhoranca parlamentare.
Aktualisht, ndaj ish-ministres janë në fuqi dy masa sigurie: ndalimi për të dalë jashtë vendit dhe pezullimi nga ushtrimi i funksioneve.
Sekuestrimi i dokumenteve në “Atelier 4” pritet të ndihmojë hetuesit në verifikimin e mëtejshëm të të dhënave që lidhen me vilën dhe transaksionet apo shërbimet e kryera për të.



