Shqipëria merr 64 pikë nga 100 për transparencën buxhetore, por qytetarët kanë pak mundësi të ndikojnë në mënyrën se si përdoren paratë publike. Ky është një nga përfundimet e Anketës së Buxhetit të Hapur 2025 për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë.
Raporti tregon se, pavarësisht përmirësimeve në publikimin e dokumenteve buxhetore, pjesëmarrja e publikut dhe mekanizmat e kontrollit mbeten të dobëta. Në Shqipëri, qytetarët nuk kanë një mekanizëm formal për të dhënë mendimin e tyre gjatë zbatimit të buxhetit, në momentet kur rialokohen fondet, shtyhen projektet apo ndryshojnë prioritetet e shpenzimeve.
Me 64 pikë, Shqipëria kalon pragun prej 61 pikësh që konsiderohet i mjaftueshëm për një debat publik të informuar. Rezultati lidhet kryesisht me publikimin online të Buxhetit të Qytetarëve dhe me më shumë informacion mbi të ardhurat dhe shpenzimet në rishikimin e mesit të vitit.
Megjithatë, transparenca e informacionit nuk shoqërohet me përfaqësim të mjaftueshëm të qytetarëve në vendimmarrje. Mundësitë për pjesëmarrje janë të kufizuara dhe zakonisht përqendrohen në fazat fillestare të hartimit të buxhetit. Konsultimet publike janë kryesisht sporadike, ndërsa hapësirat për dialog dhe ndikim real në vendimet buxhetore mbeten të pakta.
Problemi nuk është vetëm shqiptar. Të gjitha vendet e rajonit kanë rezultate të dobëta në pjesëmarrjen publike. Kosova veçohet si i vetmi vend që ofron një mekanizëm më gjithëpërfshirës për komunitetet që tradicionalisht kanë qenë të përjashtuara.
Raporti evidenton gjithashtu dobësi në publikimin e informacionit mbi risqet fiskale, ndërmarrjet shtetërore, garancitë publike dhe borxhin. Asnjë vend i rajonit nuk paraqet në projektbuxhet parashikime fiskale me horizont dhjetëvjeçar, duke e bërë të vështirë vlerësimin e kostove që politikat e sotme mund t’u lënë buxheteve të ardhshme.
Edhe kontrolli mbi përdorimin e fondeve mbetet problematik. Institucionet e auditimit publikojnë raporte dhe rekomandime, por këto nuk zbatohen në mënyrë sistematike. Shqipëria, së bashku me Bosnjë-Hercegovinën, Serbinë dhe Turqinë, nuk ka një sistemim të rregullt raportimi nga ekzekutivi për zbatimin e rekomandimeve të auditimit.
Në tërësi, raporti tregon se qytetarët shqiptarë kanë akses më të madh në informacionin buxhetor, por jo një rol të mjaftueshëm në vendimmarrjen për paratë publike. Mungesa e mekanizmave të qëndrueshëm të pjesëmarrjes i lë ata me ndikim të kufizuar mbi mënyrën se si hartohet, ndryshohet dhe zbatohet buxheti. (Monitor)



