06 July
Pjesëmarrja e Zv/Presidentit të SHBA-ve, Majk Pens në “Kartën e Adriatikut” në Podgoricë më 2 gusht, dëshmon angazhimin e SHBA-ve për këtë rajon, theksoi ambasadori i SHBA-ve, Xhes Bejli. Në takimin e Kartës së Adriatikut ku Maqedonia është anëtare, Pens do t’ua përcjellë liderëve të rajonit porositë e SHBA-ve.
Ai do të jetë këtu kryesisht për të folur me partnerët, aleatët në rajon për angazhimet e SHBA-ve në rajon. Mendoj se do të dëgjoni mesazhe për këtë. Ky është qëllimi kryesor i vizitës. Karta e Adriatikut ku bëjnë pjesë SHBA-të, Maqedonia dhe anëtare tjera të rajonit është një forum i mrekullueshëm, ku ai të flet me liderët nga rajoni- deklaroi ambasador i SHBA-ve Xhes Bejli.
Ambasadori Bejli tha se Karta e Adriatikut është e rëndësishme për anëtarësimin e rajonit në NATO dhe ruajtjen e sigurisë rajonale.
Është një organizim shumë i rëndësishëm. Tre nga anëtaret e Kartës së Adriatikut tani janë anëtare të NATO-s dhe shpresoj që të tjerët do të ecin përpara në atë drejtim. Kjo jo gjithmonë ka ecur sipas shpejtësisë që të gjithë do ta dëshironim ta shihnim. Megjithatë Karta mbetet jo vetëm një forum për të punuar në çështje të anëtareve të NATO-s, por gjithashtu edhe për sigurinë rajonale mes popujve vëzhgues dhe popujve anëtarë- theksoi ai.
Gjithsesi nuk dihet se si do ta menaxhojnë krerët e Qeverisë agjendën e 2 gushtit, pasi përveç takimit në Podgoricë të Malit të Zi, është paralajmëruar nënshkrimi në Shkup i Marrëveshjes për fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim bilateral midis Maqedonisë dhe Bullgarisë. Maqedonia, Shqipëria, Kroacia, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina janë vende anëtare në Kartën e Adriatikut, kurse Serbia, Kosova dhe Sllovenia kanë statusin e vendeve vëzhguese. Ky grup i shteteve u formua nën mbrojtjen e SHBA-ve në vitin 2003 dhe ka për qëllim të koordinojë aktivitetet për mbrojtjen e vendeve që aspirojnë të anëtarësohen në NATO.
Anesa Aliti

