Udhëkryqi i diskriminimit, ose Somalia. Kështu e quajnë banorët e lagjes me numër 15 në Hasanbeg, rrugën e cila lidh ata me fqinjët e tjerë të lagjes. Kjo për faktin sepse, sipas banorëve, infrastruktura dallon sipas etnitetit. Banorët thonë se në qoftë se je maqedonas, atëherë do të keshë edhe kanalizim edhe ujësjellës edhe asfalt e në të kundërtën, rrugët do të duken kështu.
“Tek maqedonasit janë shtruar asfalt krejtë rrugët, ndërsa tek ne jo. Sikur e patë prej tek transformatori e teposhtë ne jemi si me thënë si në Somali jo si në Shkup të Maqedonisë”
“Deri këtu vjen kryesorja, andej nuk ka kanalizim. Nuk ka sepse nuk vijnë me na pa as partia as komuna as kryetari, askush. Këndej vazhdon se këndej janë maqedonasit, në Stajkovc bien me rrugë, ne biem në Hasanbeg. Ne kemi dhënë kërkesa në Komunë, unë i kamë dhënë kërkesat, 43 shtëpi jemi pa kanalizim dhe pa ujë”.
Banorët e rrugës 15 të lagjes së Hasanbegut, thonë se sot janë irrituar edhe më shumë kur nga ujësjellësi i qytetit kanë ardhur për t’ua ndërruar edhe orëmatësit. E ata, ujësjellësin e kanë ndërtuar me vetë kontribut, ndërsa thonë se tubacioni është i vjetëruar.
“Problemin aktual e kemi me ujësjellësin. Siç duket ne nuk jemi pjesë e këtij shteti. Prej tek trafoja e përpjet janë maqedonas, ndërsa në këtë pjesë jemi krejtë shqiptarë. Atje kanë filluar ta ndërrojnë rrjetin e ri “FI 100” në tre katër rrugë, i kanë vendosur gypat dhe po i asfaltojnë, kurse kësaj ane këndej teposht as nuk ka ardhur me na pyet dikush. Sot erdhën një ekip i ujësjellësit dhe deshën t’i ndërrojnë matësit e ujësjellësit, ne nuk u pajtuam. Nuk u pajtuam për faktin sepse kur e shohim se atje ndërrohet rrjeti, këtu tek ne nuk e bëjnë të njëjtën. Shtrohet pyetja se pse? Ne me vetë kotribut e kemi bërë këtë rrugë kur është bërë kjo lagje këtu”
Shtypje nuk ka tash në këtë kohë, kush ka shtëpia dy katë ato nuk kanë shtypje naltë, në mëngjes ka diçka shtypje më von ndalet. Hallet nuk na bëjnë hiç. Por, vetëm disa metra më largë, pamja e kësaj lagje ka pamje tërësisht tjetër. Kanalizim i ri, ujësjellës dhe asfalt.
Dallimi i këtillë i bënë banorët të ndjehen të diskriminuar nga shteti dhe institucionet. Qytetarët thonë se arsyeja e vetme për këtë, është se janë shqiptarë.
“Fajtor është shteti, ne sikur mos jetojmë në këtë shtet këtu. Ne sikur të jemi në lagje të egër. Këtu me asfalltime të reja me krejta ua kanë bërë andejna, me gypa ua kanë ndërruar. Për kanalizim kurr nuk kanë ardhur me na pyetë këtu. Ne ç’do mbërmje s’mund dalim prej erës në oborr se vjen era prej kanalizimit. Prej në pyrmbytjen që e patëm vjet, asfalti është dashur të vijë deri tek ura e kanalit, e kanë ndërprerë, tek do shopija lartë atje, nuk e kanë lënë me ardhë me poshtë për shkak që mos lidhemi ne shtëpitë këtu që jemi. Ndërsa Stajkovcës, kanalizimin ua kanë dërguar për 20 shtëpi që nuk ua ka rrokur kanalizimi”
“Kjo rrugë prej vërshimeve siç ishte, këtë e rregulluan pakë dhe shife si e lanë, ata tjerat i kanë shtruar me asfallt. Mua ma merr mendja në aspektin nacional. Ndoshta nuk bën me e fol këtë por po duket, sepse ajo pjesë lartë janë krejtë maqeonas edhe me kanalizim janë të lidhur që është pyetje e dhimbshme”
Hasanbegasit e kësaj lagje, thonë se aspak nuk u pengon që fqinjët e tyre kanë kanalizim, ujësjellës dhe asfalt të ri, por vetëm se edhe ata kërkojnë trajtim të barabartë si banorët e tjerë të rrethit.
Mefal Ismaili /SHENJA/

