Marshimi i Manchester City drejt tripletës vazhdon. Pasi thyen konkurrencën e Arsenalit për kurorën e artë të Premier League dhe mundën rivalët e përjetshëm të Manchester United në FA Cup, tanimë vetëm Interi qëndron në rrugën e Citizens në finalen e Champions League.
24 vite pas tripletës së parë historike në Angli, the Citizens janë vetëm një hap larg përsëritjes së suksesit të rivalëve të tyre më të mëdhenj, Manchester United. “Djajtë e Kuq” kompletuan një tripletë të pazakontë në 1999, ku në javën e fundit majit të 1999, mposhtën në takimin final të Premier League Tottenham Hotspurs, në finale të FA Cup Newcastle United dhe në finale të Champions League Bayern Munchen.
Në vitin 1999, City militonte në ligën e tretë angleze, në një situatë të pamundur për të ndalur suksesin e ‘fqinjëve’ të tyre. Por, situata ka ndryshuar shumë pas 24 vitesh. United u paraqit në derbin numër 190-të të Manchesterit dhe në finalen e parë të FA Cup mes tyre, me një mundësi ideale për t’i hequr nga duart një moment lavdie armiqve të përjetshëm, por nuk e shfrytëzuan këtë mundësi.
Disfata nuk ishte një surprizë. Edhe vetë tifozët më të çmendur të United që kishin siguruar një biletë në finalen e Wembleyt nuk besonin në një sukses të skuadrës së tyre, por në orët në prag të fillimit të ndeshjesh, entuziazmi ishte ndezur disi. Por, ata besuan vetëm për 13 sekondat e para të takimit, deri në momentin kur me një të djathtë të kalibruar Gundogan heshti “Djajtë e Kuq” dhe çoi në delir anën tjetër të qytetit.
Man.City e vërtetoi që mbetet një skuadër e madhe, që performon në nivelin më të lartë në ndeshjet më deçisive. Goli hapës i Gundogan ishte brilant, i dyti i evitueshëm, por mënyra se si shënohen golat në të tilla nivele rrallë kanë rëndësi. E rëndësishme është se ku e kanë ngjitur këto gola Cityn, vetëm një hap larg historisë.
Çfarëdo që të ndodhë në Stamboll të shtunën e 10 qershorit, City i ka fituar dy trofetë më të rëndësishëm të futbollit anglez. Por, skuadra e Guardiolës e ka provuar mjaftueshëm këtë sezon se meriton më shumë se thjesht dy trofe dhe duhet të masin forcat ndaj një Inter jo-favorit në finalen e Champions League për të shkruar emrin e tyre në listën e artë të klubeve që ia kanë dalë të fitojnë tripletën, si Barcelona, Bayern Munchen, Inter, Man.United, PSV Eindhoven, Ajax dhe Celtic.
Manchester United e humbi mundësinë më të mirë për të mbrojtur krenarinë më të madhe të historisë së tyre, tripletën, dhe tashmë, njëlloj si City në 1999, “Djajtë e Kuq” vetëm mund të presin dhe të shpresojnë tek Interi, siç bënin Citizens për Bayern Munchen para 24 vitesh në finalen e Champions League.



