Në emisionin “Review”, analisti Lavdrim Lita komentoi situatën aktuale politike, duke theksuar se Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë një ofertë të ulët për qytetarët, e cila, sipas tij, dekurajon masivisht votuesit.
Lita theksoi se Kryeministri Edi Rama po përpiqet të dekurajojë votuesit e opozitës, ndërsa Sali Berisha nuk ka arritur të ngrejë një vrull shoqëror për ndryshim, por është fokusuar te besnikët e tij tradicionalë.
Lita shpjegoi arsyet se pse ndodhin këto fenomene dhe theksoi se situata aktuale është pasojë e një produkti të bashkëpunimit midis PS dhe PD. Ai po ashtu theksoi se pasojat e ndryshimeve kushtetuese, si dhe mbyllja e Kodit Zgjedhor në korrik të vitit të kaluar, kanë sjellë përdorimin e listave të mbyllura, të cilat kanë mbyllur gjithashtu mundësitë për konkurrencë të brendshme në partitë politike.
Në këtë mënyrë, ato kanë favorizuar individë besnikë që janë të gatshëm të bëjnë gjithçka në parlament sipas udhëzimeve të liderëve të partisë.
“Rama dhe Berisha kanë dhënë raste ku dinë të bashkëpunojnë. Produktet dhe pasojat që diskutojmë sot janë pasojë e ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008 dhe mbylljes së kodit zgjedhor në korrik të vitit të kaluar, ku u miratuan listat e mbyllura. Ky ndryshim ka mbyllur edhe partitë politike, duke futur në to besnikët nga njëra anë, dhe anonimet e suksesshme nga ana tjetër, të cilët janë të gatshëm të bëjnë çfarëdo në Parlament sipas urdhrave të shefit. Oferta e të dyja palëve është e ulët dhe e dekurajon në masë të madhe votuesin. Rama po përpiqet të dekurajojë votuesit e opozitës që të dalin në zgjedhje, dhe duke mos dalë as shumica heshtur, ai e ka fitoren pothuajse në xhep. Berisha duhej të kishte pasur një qasje ndryshe, jo destruktive, në këtë fushatë. Kjo do të thoshte të ngrihej një vrull shoqëror për ndryshim, por për shkak të karrierës politike, problemeve me ligjin, me ndërkombëtarët ai nuk mund të bënte një qasje pozitive. Për të bërë këtë, do duheshin figura të reja, por ai zgjodhi besnikët e tij, si Jozefina Topalli, Edmond Spaho, Edi Paloka dhe njerëzit e gardës së vjetër të PD, të cilët i flasin militantëve dhe jo shoqërisë së studiuar jashtë, e cila përbën një numër të caktuar në sektorin privat ose publik. Ky është problemi, pasi partitë e mëdha luajnë me letra të hapura dhe duhet të zgjedhësh të keqen më të vogël”, tha Lita.
Ndërsa sa i përket Lulzim Bashës. Lita tha se ai është angazhuar në një fushatë të gjerë mediatike dhe një fushatë në terren, ku ka përzgjedhur kandidatë që kanë një mbështetje të caktuar në qarqet përkatëse. Këta kandidatë kanë nga 3.000 deri në 5.000 vota personale dhe Basha synon që partia e tij të fitojnë 3 deri në 4 mandate deputetësh.