Nga e djathta: Ambasadori i Mbretërisë së Arabisë Saudite në Republikën e Shqipërisë, Turki bin Ibrahim Al-Madi, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, dhe Zëvendësambasadori i Mbretërisë së Arabisë Saudite në Republikën e Shqipërisë, Ahmed bin Saad Al-Harbi, gjatë ceremonisë të Ditës Kombëtare së Mbretërisë, Tiranë, 22 shtator 2026.
TIRANË 22 Shtator ,2026.– Mbretëria e Arabisë Saudite kremtoi Ditën e saj Kombëtare në Tiranë me një pritje të organizuar nga Ambasadori i Mbretërisë në Shqipëri, Sh.T.Z. Turki bin Ibrahim Al-Madi, ku i ftuar nderi ishte Presidenti i Republikës, Bajram Begaj.
Në pritje morën pjesë deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, anëtarë të qeverisë, zyrtarë të lartë të institucioneve shtetërore, personalitete të njohura të botës akademike dhe universitare, ambasadorë dhe drejtues të misioneve diplomatike të akredituara në Tiranë, si dhe shkrimtarë, artistë, drejtues të komuniteteve fetare dhe miq të Arabisë Saudite.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Ambasadori Al-Madi tha se Dita Kombëtare është një moment për të kujtuar rrugëtimin historik të bashkimit të Mbretërisë nga themeluesi i saj, Mbreti Abdulaziz bin Abdulrahman Al Saud, dhe themelet e vendosura prej tij për unitetin, sigurinë, stabilitetin dhe ndërtimin e institucioneve shtetërore. Kremtimet e këtij viti zhvillohen nën moton “Krenaria jonë buron nga natyra jonë”.
Ambasadori e vendosi theksin veçanërisht te transformimi ekonomik dhe shoqëror që Arabia Saudite po përjeton në kuadër të Vision 2030, nën drejtimin e Mbretit Salman bin Abdulaziz Al Saud dhe Princit të Kurorës dhe Kryeministrit Mohammed bin Salman. Ai theksoi se strategjia synon diversifikimin e ekonomisë përtej sektorit të naftës, investimin në kapitalin njerëzor, dijen dhe inovacionin, zhvillimin e sektorëve të rinj ekonomikë dhe përmirësimin e cilësisë së jetës, duke ruajtur njëkohësisht identitetin dhe trashëgiminë kulturore të Mbretërisë.
Duke iu referuar rezultateve konkrete të këtij transformimi, Al-Madi tha se papunësia ndër shtetasit sauditë ka rënë në 6.4 për qind, nga 12.3 për qind në vitin 2016, ndërsa pjesëmarrja e grave në tregun e punës është rritur në rreth 33.9 për qind. Ai përmendi gjithashtu se numri i selive rajonale të kompanive ndërkombëtare në Arabinë Saudite ka kaluar 700, numri i investitorëve ndërkombëtarë ka tejkaluar 6,000 dhe Prodhimi i Brendshëm Bruto ka kaluar 4.9 trilionë rialë sauditë. Sipas të dhënave të cituara prej tij, Arabia Saudite është renditur gjithashtu e 17-ta në botë dhe e katërta ndër vendet e G20-s në Raportin Botëror të Konkurrueshmërisë të IMD-së.
Një tjetër bosht i fjalës ishte politika e jashtme saudite. Ambasadori theksoi se Riadi e mbështet veprimin e tij ndërkombëtar në dialog dhe bashkëpunim, uljen e tensioneve, respektimin e sovranitetit dhe pavarësisë së shteteve, respektimin e së drejtës ndërkombëtare dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve përmes mjeteve paqësore dhe diplomatike.
Në këtë kontekst, ai u ndal te përpjekjet saudite për paqen dhe stabilitetin në Jemen, duke theksuar bashkëpunimin me Kombet e Bashkuara dhe partnerët ndërkombëtarë. Ai ngriti gjithashtu shqetësimin e Mbretërisë për sulmet e Houthive ndaj lundrimit në Detin e Kuq dhe Gjirin e Adenit, të cilat, sipas tij, kanë pasoja që shkojnë përtej konfliktit në Jemen dhe prekin sigurinë e lundrimit dhe tregtinë ndërkombëtare.
Çështja palestineze mbetet një tjetër prioritet i rëndësishëm i politikës së jashtme të Riadit. Ambasadori përsëriti mbështetjen saudite për të drejtën e popullit palestinez për vetëvendosje dhe krijimin e një shteti të pavarur, si dhe për një zgjidhje me dy shtete që të çojë drejt një paqeje të drejtë, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse. Ai përmendi në këtë kuadër edhe “Aleancën Globale për Zbatimin e Zgjidhjes me Dy Shtete”, të lançuar në vitin 2024.
Ambasadori Al-Madi veçoi gjithashtu dimensionin humanitar të politikës saudite. Sipas të dhënave që ai paraqiti, ndihmat e Arabisë Saudite kanë arritur ndër vite në 175 vende dhe kanë kaluar një vlerë të përgjithshme prej 145 miliardë dollarësh. Në vitin 2025, sipas të dhënave të Shërbimit të Gjurmimit Financiar të Kombeve të Bashkuara të cituara në fjalim, Mbretëria u rendit e dyta në botë dhe e para ndër vendet arabe për ndihmën humanitare dhe emergjente.
Një pjesë e rëndësishme e fjalës iu kushtua marrëdhënieve me Shqipërinë. Marrëdhëniet diplomatike ndërmjet dy vendeve janë vendosur më 2 dhjetor 1992 dhe gjatë viteve janë shoqëruar me shkëmbime të nivelit të lartë dhe zgjerim gradual të bashkëpunimit politik dhe ekonomik. Në mars 2022, në Riad u zhvillua Sesioni i Katërt i Komisionit të Përbashkët Ndërqeveritar Shqipëri–Arabi Saudite, i fokusuar edhe në mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik.
Ambasadori Al-Madi e cilësoi miqësinë ndërmjet dy vendeve si të mbështetur në respektin e ndërsjellë dhe në vullnetin për zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit. Ai veçoi Komisionin e Përbashkët Saudit-Shqiptar dhe Këshillin e Biznesit Saudit-Shqiptar, si dy mekanizma të rëndësishëm për këtë bashkëpunim, si dhe rolin e Fondit Saudit për Zhvillim në financimin e projekteve infrastrukturore në Shqipëri.
Marrëdhëniet kanë marrë një dinamikë të re veçanërisht gjatë viteve të fundit. Në tetor 2025, Kryeministri Edi Rama mori pjesë në edicionin e nëntë të Future Investment Initiative në Riad dhe zhvilloi një takim me Princin e Kurorës Mohammed bin Salman, gjatë të cilit, sipas agjencisë zyrtare saudite SPA, u diskutuan marrëdhëniet dypalëshe, fushat e bashkëpunimit dhe mënyrat për zgjerimin e tyre. Presidenti Bajram Begaj vizitoi gjithashtu Arabinë Saudite në maj 2026 për pelegrinazhin e Haxhit; në fjalën e tij, Ambasadori Al-Madi kujtoi edhe kontaktet e Presidentit shqiptar me udhëheqjen saudite gjatë kësaj vizite.
Vetë Ambasadori Turki bin Ibrahim Al-Madi është një prani e re në Tiranë. Ai i dorëzoi letrat kredenciale Presidentit Begaj më 5 qershor 2026, duke theksuar me këtë rast interesin e Riadit për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve me Shqipërinë në fusha të ndryshme. Përfaqësimi diplomatik saudit nga Tirana ka gjithashtu një dimension rajonal, me ambasadorin që ushtron funksione jorezidente në vende të tjera të Ballkanit.
Në planin rajonal, një zhvillim me rëndësi ishte edhe roli saudit në procesin që çoi në njohjen e Kosovës nga Siria më 29 tetor 2025. Njohja u shpall në kuadër të një takimi trepalësh në Riad ndërmjet Princit të Kurorës Mohammed bin Salman, Presidentit sirian Ahmed al-Sharaa dhe Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani. Presidenca e Kosovës e ka përshkruar më pas këtë zhvillim si të arritur me ndërmjetësimin dhe mbështetjen e partnerëve, ndërsa Ministria e Jashtme saudite e përshëndeti publikisht njohjen.
Në fjalën e tij, Ambasadori Al-Madi nënvizoi gjithashtu rëndësinë në rritje të dimensionit kulturor dhe arsimor të marrëdhënieve. Bashkëpunimi përfshin përkthimin e letërsisë nga arabishtja në shqip dhe anasjelltas dhe zgjerimin e mundësive për mësimin e gjuhës arabe. Ai njoftoi se po punohet për hapjen në Shqipëri të një instituti për mësimin e gjuhës arabe, në varësi të Universitetit Islamik Imam Mohammad Ibn Saud, i cili synohet t’u shërbejë jo vetëm studentëve shqiptarë, por edhe të interesuarve nga vendet e tjera të Ballkanit.
Në përfundim, Ambasadori tha se objektivi është të ndërtohet mbi arritjet e deritanishme dhe të eksplorohen mundësi të reja bashkëpunimi në ekonomi, investime, zhvillim, turizëm, kulturë dhe arsim, si dhe të forcohen lidhjet ndërmjet sektorëve privatë dhe shoqërive të të dy vendeve.
Pritja e Ditës Kombëtare në Tiranë, me pjesëmarrjen e Presidentit Begaj dhe përfaqësuesve të gjerë të jetës politike, diplomatike, akademike, kulturore dhe fetare të vendit, reflektoi një marrëdhënie Shqipëri–Arabi Saudite që gjatë viteve të fundit është zgjeruar përtej dialogut politik tradicional, me një vëmendje gjithnjë e më të madhe ndaj investimeve, zhvillimit ekonomik, kulturës, arsimit dhe bashkëpunimit rajonal.



