Prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike Shkup ka ngritur kallëzim kundër 46 vjeçarit nga Shkupi për veprën penale “lëndim i rëndë trupor” si dhe kundër një 34 vjeçari për të cilin gjatë procedurës së mëparshme janë siguruar prova pasi me paramendim ka ndihmuar të akuzuarin e parë për të kryer dhunë në familje.
Më 29 maj, në shtëpinë e tij në rrugën “Partenie Zografski”, siç njoftojnë nga Prokuroria publike i akuzuari e ka lënduar rëndë partneren e tij jashtëmartesore dhe pa ndonjë arsye e ka sulmuar fizikisht dhe ka filluar ta godasë me shuplaka në pjesën e fytyrës dhe kokës dhe me shqelma në pjesën e gjymtyrëve.
“I akuzuari i dytë në atë kohë ka qenë i pranishëm në shtëpinë e të akuzuarit, por nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për ta mbrojtur viktimën, por i ka dhënë këshilla dhe udhëzime se si të kryejë veprën penale. Në shtëpi ka qenë e pranishme edhe nëna e të akuzuarit të parë e cila ka tentuar ta mbrojë gruan nga sulmi fizik, por i akuzuari i dytë e ka ndaluar duke iu drejtuar me fjalët ‘qëndro larg, vetë le ta zgjidhin problemin, është punë e tyre personale’. Po ashtu, gjatë sulmit fizik i akuzuari i dytë e ka inkurajuar autorin me fjalët ‘nëse është e nevojshme do ta vuajmë dënimin bashkë me mua”, thuhet në kumtesën e PP-së.
Advertisements
Nga goditjet e shumta e dëmtuara ka marrë lëndime të rënda trupore – të nxira, ndrydhje dhe frakturë multifragmentare të eshtrave të hundës.
“Për të akuzuarin e parë për të cilin paraprakisht ishte caktuar masë e paraburgimit, prokurori publik i ka propozuar Gjykatës Themelore Penale Shkup vazhdimin e masës së paraburgimit. Propozim për caktimin e masës së paraburgimit është parashtruar edhe për të akuzuarin e dytë, por Gjykata nuk e ka pranuar propozimin e prokurorit dhe nuk ka caktuar masë, kështu që pas pranimit të vendimit prokurori publik kompetent do të paraqesë ankesë kundër këtij vendimi gjyqësor”, theksohet në kumtesë.