Pas disa ditësh bllokimi, rruga e re alternative në zonën e “Arrave të Gurrës” në Librazhd pritet të rihapet për qarkullimin e automjeteve të martën, më datë 3 mars, në orën 12:00.
Kreu i ARRSH, Ami Kozeli deklaroi për mediat se ky aks do të ketë një gjatësi prej 1.3 km dhe se do të jetë i aksesueshëm për të gjitha llojet e mjeteve.
Ai shtoi se ndër masat që janë ndërmarrë ka qenë devijimi i rrjedhës së lumit Shkumbin, që të mos godiste më poshtë hekurudhës dhe të lehtësonte, sipas tij, pastrimin e masës së rrëshqitur.
Sipas tij, aksi është testuar mbrëmjen e së dielës nga një autokolonë automjetesh të tonazhit të rëndë, duke garantuar që nga nesër në mesditë rruga do të jetë e aksesueshme për të gjitha mjetet.
“Rruga do të hapet nga dita e nesërme në orën 12:00. Gjatë kësaj periudhe me masat që morëm me devijimin e rrjedhës së lumit, që të mos godiste më poshtë hekurudhës dhe me lehtësimin e trupit të rrëshqitur, kemi bërë punën përgatitore për të mundësuar hapjen e trafikut.
E theksoj se ishte e domosdoshme, pasi punimet që do të nevojiten për rrugën alternative mbi lumin Shkumbin dhe ne krah të hekurudhës, do të duan të paktën 60 ditë sipas vlerësimeve tona.
Ky aks do të ketë një gjatësi prej 1.3 km dhe një lartësi nga 5 metër deri në 10 metra. Segmenti i ri do të jetë i hapur për të gjitha mjetet, ne kemi katër ditë që e mbajmë në testim me të gjitha mjetet e rënda, dhe nuk ka shfaqur asnjë lloj cedimi.
Aksi paralel do të ketë një gjerësi prej 9 metrash, pra janë dy korsi nga 3.5 metër dhe dy pankina në secilën krah dhe do të jetë i aksesueshëm nga të gjitha mjetet”, tha Kozeli.


