Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka ekzekutuar vendimin e Prokurorisë së Dibrës për caktimin e masave të sigurisë ndaj dy punonjësve të policisë, të dyshuar për “shpërdorim detyre”.
Bëhet fjalë për dy inspektorë të DVP Dibër, njëri në shërbimin e Trafikut Urban dhe Interurban dhe tjetri në Rendin Publik në Komisariatin e Bulqizës.
Gjykata ka vendosur ndaj tyre masat “pezullim nga detyra” dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit”.
Hetimet lidhen me një ngjarje të ndodhur më 10 mars 2026 në Bulqizë, ku mbetën të plagosur rëndë tre persona. Sipas AMP-së, nga veprimet hetimore ka rezultuar se efektivët nuk kanë përmbushur detyrat funksionale sipas ligjit për Policinë e Shtetit.
Ndërkohë, hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe për të verifikuar përfshirjen e mundshme të punonjësve të tjerë.
Njoftimi:
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Kukës – Dibër) ka ekzekutuar urdhërin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, e cila ka caktuar masat e sigurimit personal “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit”, parashikuar nga nenet 242 dhe 233 të Kodit të Pr. Penale, ndaj dy punonjësve të policisë të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
➡️ Inspektor D. S., me detyrë Trupë Shërbimi i Trafikut Urban dhe Interurban, pranë DVP Dibër.
➡️ Inspektor D. S., me detyrë Trupë Shërbimi i Rendit Publik në Komisariatin e Policisë Bulqizë, pranë DVP Dibër.
Caktimi i masave të sigurisë u bë i mundur në kuadër të procedimit penal të vitit 2026, në lidhje me ngjarjen e datës 10.03.2026 në qytetin e Bulqizës, ku kanë mbetur të plagosur rëndë 3 shtetas. Nga veprimet e thelluara hetimore ka rezultuar se këta punonjës policie nuk kanë përmbushur detyrat funksionale në zbatim të Ligjit për Policinë e Shtetit.
Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe përfshirjen e mundshme të punonjësve të tjerë.
AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të strukturave, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 9090, ose duke dërguar Email në adresën [email protected].
Për ankesa me Whatsapp 0694151511 Ose shkarkoni në Play Store dhe App Store aplikacionin “Agjencia Digjitale”.


