Pas 8 arrestimeve dhe 11 kallëzimeve penale gjatë ditës së djeshme lidhur me skandalin e faturimit e dyfishtë ndaj pacientëve dhe Fondit të Sigurimit Shëndetësor nga MPB kanë njoftuar se është arrestuar edhe personi me inicialet B.K për veprën penale “Pastrimi i parave dhe i të ardhurave të tjera që burojnë nga vepra penale”, kanë njoftuar nga MPB.
GOCE ANDREEVSKI, ZËDHËNËS I MPB-SË
“Policia me urdhër të prokurorit publik kompetent nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ka privuar nga liria personin me inicialet B.K., për veprën penale “Pastrimi i parave dhe i të ardhurave të tjera që burojnë nga vepra penale”.
Kryeministri Hristijan Mickoski i pyetur sot nga gazetarët nëse janë të vërteta pretendimet se njëri prej personave të arrestuar kërkohej me fletarrest ndërkombëtar nga Shqipëria dhe se para tre vitesh ishte emëruar konsull nderi i Maqedonisë në Turqi deklaroi se nuk i njeh personat e arrestuar.
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR
“Edhe qytetarët janë dëmtuar, pasi u është faturuar shërbimi, ndërsa pagesa është bërë edhe nga Fondi. Pra, qytetarëve nuk është dashur t’u faturohej shërbimi i ofruar. Bëhet fjalë për rreth 4 mijë raste dhe kjo nuk është aspak mirë. Qytetarët janë dëmtuar për disa milionë euro. Tani këto para do të kthehen përmes një procedure gjyqësore. Po kryejmë verifikime edhe për institucione të tjera të ngjashme që merren me këtë veprimtari dhe kanë kontrata me Fondin.
Ndërkaq pas lajmeve të publikuara në media, sot reagim ka pasur nga Spitali privat “ Spitali Europian i Syve”. Sipas tyre informacionet e shumta në media janë të pavërteta dhe kanë theksuar se do të bashkëpunojnë me institucionet kompetente.
SPITALI EUROPIAN I SYVE
“Institucioni ynë nuk ka dëmtuar kurrë asnjë pacient, as nga aspekti shëndetësor, as nga ai moral apo financiar”.
Ditën e djeshme nga MPB njoftuan për kallëzim penal kundër 11 personave dhe një institucioni privat shëndetësor. Tetë persona janë arrestuar. Aksioni policor është zhvilluar në kuadër të një hetimi për dyshime mbi veprime të paligjshme që lidhen me operacionet e syve, me ç’rast është shkatërruar një grup kriminal, pjesë e të cilit janë ish-funksionarë dhe funksionarë aktualë të Fondit për Sigurim Shëndetësor në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Janë realizuar bastisje në disa lokacione, ndërsa gjatë kontrolleve janë gjetur dhe sekuestruar para në vlerë prej rreth 50.000 eurosh dhe telefona celularë.
Kallëzim penal përveq personave fizik është ngritur edhe kundër një institucioni privat shëndetësor nga Shkupi. Sipas pretendimeve në kallëzimin penal, dy drejtorë të atëhershëm të Fondit për Sigurim Shëndetësor në vitin 2020, së bashku me një përfaqësues të institucionit privat shëndetësor, kanë lidhur një kontratë në kundërshtim me procedurat e përcaktuara dhe aktet e brendshme të Fondit. Sipas kallëzimit penal, dëmi i shkaktuar buxhetit të FSSh-së arrin në rreth 1,7 milionë euro, për pagesat e kryera në bazë të faturave fiktive, si dhe 525.000 denarë të tjerë për gjoba kontraktuale të paarkëtuara. Ekzistojnë dyshime se gjatë periudhës nga viti 2022 deri në vitin 2025, institucioni shëndetësor është pasuruar në mënyrë të kundërligjshme me rreth 4,25 milionë euro. Sipas kallëzimit, nga skema e dyshuar e faturimit të dyfishtë janë dëmtuar nga 3.000 deri në 4.000 pacientë.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/



