Deputeti i Partisë Demokratike, Blendi Himçi ka denoncuar dëmtimin e rrugës së sapondërtuar në Gjinar nga kompania “Alko Impex Construction”.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Himçi e ka cilësuar si simbol të keqmenaxhimit të fondit prej 97 milionë lekësh.
Sipas Himçit, projekti që u prezantua si investim për turizmin është kthyer në një shenjë dështimi, ndërsa kërkon transparencë dhe përgjegjësi për një rrugë që po dëmtohet pak kohë pas përfundimit.
“Si mund të quhet investim kur rruga, sapo e ndërtuar, ka nisur të shembet nën këmbët e qytetarëve? Si mund të flitet për zhvillim turistik, kur zemra e Gjinarit është shndërruar në një skenë të turpit publik? Çarja e asfaltit nuk është thjesht një defekt teknik – është një metaforë e gjallë e keqqeverisjes, e mungesës së përgjegjësisë, e një fondi prej 97 milion lekësh që po tretet si balta në shi.
Ky nuk është thjesht një rrëshqitje e dheut, është rrëshqitje e besimit të qytetarëve! Është rrëshqitje e shpresës së banorëve që prisnin një qendër të denjë për turizëm, por morën një rrugë të thyer, një shenjë të qartë se paratë publike nuk janë trajtuar me seriozitetin që meritojnë.
Gjinarit i është premtuar rilindje, por sot ai sheh vetëm rrënoja. Ky investim i sapo bërë, i shfaqur si “modernizim”, është kthyer në një monument të dështimit. Dhe pyetja që ngrihet me forcë është: Kush mban përgjegjësi për këtë turp? Kush do të japë llogari për një rrugë që u shemb para se të shkelej mirë mbi të?”, thuhet në reagimin e Himçit.


