Pas më shumë se një viti në krye të Policisë së Shtetit, shkarkohet nga detyra drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit.
Motivacioni i shkarkimit ka qenë se “nuk garantoi rend dhe siguri gjatë protestës së opozitës”. Po kështu “u rrezikua jeta e shtetase të huaj” që jetojnë në Tiranë, pasi Policia nuk mori përsipër sigurinë.
Ilir Proda nuk do të jetë më në krye të uniformave blu, teksa ishte vendosur në qendër të akuzave të opozitës shqiptare për lidhjet e dyshuara me krimin e organizuar dhe kartelet.
PD e akuzonte si lidhje direkte e Suel Çelës dhe Ergys Agasit, të cilët edhe e promovuan në kupolën e institucionit.
Ky vendim vjen pak orë pas pas protestës së opozitës, ku nuk u garantua siguria e qytetarëve. Edhe javën e kaluar Policia bëri të njëjtën deklaratë, duke theksuar se nuk garantonte sigurinë për shkak të dhunës së protestuesve dhe opozitës.
Edhe dje protesta u zhvendos në disa pika, ku dy prej tyre ishin Policia e Shtetit dhe e Tiranës. Uniformat blu përdorën përsëri gaz helmues dhe topa uji, teksa pati edhe të lënduar.
Ndërkohë në krye të Policisë së Shtetit është komanduar Sokol Bizhga. Ky është komandimi i dytë radhazi për të, pasi e mbajti detyrën për disa muaj edhe pas dorëheqjes së Muhamet Rrumbullakut në fund të vitit 2024, vit në të cilin u emërua edhe Proda në krye të policisë.


