Janë liruar nga komisariati i Policisë së Shkodrës pesë nga gjashtë të arrestuarit nga efektivët një ditë më parë, pas përplasjeve gjatë protestës që banorët e Rrjollit zhvillojnë prej disa ditësh për të mos lejuar ndërtimin e një resorti turistik në pronat e tyre.
Në një prononcim për mediat, njëri prej tyre tha se kjo është hera e 10-të që ai është ndaluar nga policia për pesë orë, ndërsa pak ditë më parë ka qëndruar në komisariat për rreth 30 orë, gjë që Prokuroria e ka cilësuar të paligjshme.
Banori i Rrjollit u shpreh se protestat tyre nuk do të ndalen se dhe pronën nuk do e falin, por do e mbrojnë me çdo lloj çmimi.
“Ishte hera e 10-të që unë shoqërohem nga 5 orë, ndërsa ditën e shtunë unë kam qenë 30 orë i ndaluar, ndërsa Prokuroria e Shkodrës e ka quajtur të paligjshme ndalimin. Ndalimi im ka qenë iniciativë e një polici që ka dëshirë shumë të madhe që të më bllokojë dhe që të na ndalojmë të zhvillojmë protestën, por nuk do ta arrijnë kurrë.
Tani kemi dal, jemi bashkë, kemi edhe një person tjetër të ndaluar brenda që po jep shpjegime. Ne nuk do t’i ndalim protestat deri në fund, deri sa të fitohet e drejta jonë. Kemi qenë 6 të ndaluar. Ne do ta mbrojmë pronën tonë, jam betuar që pronën nuk e fal dhe prona do të jetë e jona deri në fund me çdo lloj çmimi”, u shpreh ai.
Kujtojmë se një ditë më parë, 24 shkurt, banorët kanë tentuar të bllokojnë punimet duke ndaluar makineritë e firmës ndërtuese.
“Asnjë mos na prekë ne. Jemi në tokën tonë, të babës dhe të gjyshit. Ne do ti bllokojmë fadromat sepse janë tokat tona. Këtu do japim jetën, këtu do vdesim për tokën tonë”, shprehen banorët.
“Hiqni duart, mos na prekni”, dëgjohen te bërtisnin disa gra dhe vajza.
Ndërkohë mes protestuesve ka edhe gra dhe vajza të cilët janë përplasur me forcat e rendit. Ajo që vihet re është që sot efektivët janë të pajisur me masa më shtuara për t’u mbrojtur, duke u paraqitur para banorëve me skafandra dhe jelek antiplumb.


