Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ka kërkuar përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka nga shqyrtimi i çështjes së tij në themel në lidhje me dosjen “Gërdeci”.
Kërkesa është paraqitur përmes mbrojtjes ligjore të Mediut, e cila i është referuar një vendimmarrjeje të Gjykata e Lartë të muajit korrik 2025.
Sipas avokatit, kjo vendimmarrje përcakton se një gjyqtare që ka vepruar në fazën paraprake të procedurës nuk mund të jetë pjesë e trupit gjykues në shqyrtimin në themel të çështjes, përveç rasteve kur procedohet me gjykim të shkurtuar.
Mbrojtja argumenton se në rastin konkret të Mediut, procesi po zhvillohet me gjykim të zakonshëm, çka sipas saj përbën papajtueshmëri procedurale për vijimin e shqyrtimit nga e njëjta gjyqtare.
Pritet që kërkesa për përjashtim të shqyrtohet nga trupa përkatëse gjyqësore, e cila do të vendosë mbi vlefshmërinë e pretendimeve të paraqitura nga pala mbrojtëse.


