Zjarri në kompleksin “Arlis sh.p.k” pranë QSUT në Tiranë është vënë në kontroll, ndërsa nuk raportohen viktima nga kjo ngjarje.
Prefekti i Tiranës, Shkëlqim Hajdari, deklaroi nga vendngjarja se pas disa orësh ndërhyrje, flakët janë neutralizuar dhe vatrat aktive janë shuar. Sipas tij, gjatë operacionit janë evakuuar disa banorë, përfshirë edhe një të moshuar që ndodhej në gjumë, ndërsa disa persona kanë pësuar djegie të lehta.
Hajdari theksoi se në terren janë angazhuar të gjitha strukturat, përfshirë zjarrfikësit, urgjencën, Forcat e Armatosura dhe RENEA-n, duke vlerësuar reagimin e shpejtë të tyre.
Shkëlqim Hajdari: Prej 4 orësh, Prefektura ka marrë masat për të gjithë forcat në këtë rast emergjent. Falenderoj zjarrfikësit, forcat e urgjencës, FA, forcat vullnetare, RENEA. Jemi të lumtur se nuk kemi asnjë viktimë. Kemi të dëmtuar me djegie jo të rëndë, ndërkohë që janë nxjerrë disa banorë të pamundur nga pikëpamja shëndetësore. Para 10 minutash u evakuuar një person që ishte në gjumë, person i vjetër, falë heroizmit të forcave tanë. Do vijojmë kërkimet brenda. Zjarri është vënë në kontroll. Këto vatra që shikoni ju janë vatra të vdekura. Ne do rrijmë deri në fund fare. Nuk ka asnjë raportim, mendojmë se nuk do kemi viktima. Do kishim sinjale nga policia. Jemi besimplotë që nuk do kemi dëmtime. Është e qartësuar, ju shihni blloqe të djegura, por tymi mund të ketë depërtuar edhe në ambiente të tjera të pallatit. Te pjesa e djegur nuk gjejnë njerëz në gjumë, se i gjen të shkrumbuar. Bëhet fjalë për zona afër zonës së djegur. Kam urdhëruar bashkinë dhe emergjencat civile që ato do jenë në ambiente të tjera.
Jemi shqiptarë, kemi halla, daja, kushërinj të afërt. Ne jemi gati. Unë nuk do dal për politikë. Shteti është këtu. Me këto vështirësi që ka mbulimi i emergjencave civile për 2 3 orë ka vënë në kontroll një zjarr që shpërtheu për 5 minuta. Zjarrfikësve i kemi shumë borxhe.
Mendoj se sonte do vazhdojmë të shikojmë këtë ngjarje. Që është e rëndë. Mendoj se kemi bërë më të mirën. Problemet e tjera, të mbarojmë sonte.
Sapo të përfundojmë operacionin, është njoftuar për veprimet hetimore nga prokuroria me ekspertë kriminalistë, zjarrfikësve dhe mjekësisë ligjore. Ti marrim gjërat me radhë. Sapo të mbarojmë punë këtu, grupi i hetimit do kryej veprimet e para hetimore.


