Ish-kryepolici Mit’hat Havari, ka rrëfyer peripecitë e përndjekjes nga Sigurimi i Shtetit, sekretet e asaj kohe, thashethemet apo spiunimet që bëheshin dhe se si rekrutoheshin bashkëpunëtorët.
Ish-zyrtari i lartë i Policisë së Shtetit, foli në emisionin “Kjo Javë” në “News24”, me rastin e librit të tij “Dosja 41 71”, ku rrëfen edhe përndjekjet nga ish-Sigurimi i Shtetit.
“Nga ato që edhe kam gjetur te Autoriteti i Dosjeve, por edhe nga periudha e përjetuar, ka pasur njerëz dashakeqës. Dimitrovski, kishte qenë ish-oficer i Sigurimit të Shtetit. Gjomemo edhe ky më ka denoncuar, ndërsa këta tjerët nuk i konsideroj kanë qenë njerëz dashakeqës, të ligj për të përfituar një televizor “bardh a zi”. Këtu shkonte morali njerëzor i asaj kohe”, rrëfeu ish-kryepolici.
Ai dha edhe detaje nga përndjekjet të ish-Sigurimit të Shtetit, rrëfime që i ka përmbledhur edhe në librin e tij. Gjatë intervistës Havari ka treguar se si ish-Sigurimi i Shtetit kishte bashkëpunëtorë legalë dhe ilegalë, duke ndarë edhe disa nga pseudonimet e tyre.
“Bashkëpunëtorë të sigurimit me pseudonime, “pulti”, gëlqerja”, “dielli”, “zjarrmëtari”, ‘furra’, ‘kalaja’, ‘malësori’… Këto janë me emra, janë marrë nga autoriteti i dosjeve”, tregoi Havari.
Gjithashtu ai u shpreh se mes bashkëpunëtorëve, kishte edhe nga ata që nuk e besonte dhe mendonte kurrë se do ishin të tillë, bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit të Shtetit.
“Në këto 35 vite shqiptarët janë shthurur, janë shthurur edhe mendërisht. Kanë hedhur akuza të padrejta për njerëz që nuk kanë pasur lidhje”, tha ai i indinjuar, në lidhje me thashethemet që janë bërë ndër vite ndaj tij dhe të tjerëve.


