I penduari i drejtësisë, Henrik Hoxha ka zbuluar gjatë seancës së sotme në GJKKO për “Plumbin e artë” se ka marrë porosi për të vrarë edhe Altin Ndocin, i cili arriti që të arratisej një muaj më parë nga spitali i Durrësit, ku ishte shoqëruar nga punonjësit e burgut për të bërë një kontroll mjekësor.

Hoxha ka rrëfyer se sipas asaj që i kishte thënë Nuredin Dumani, vrasja e Ndocit ishte urdhëruar nga Erion Alibej, i njohur ndryshe si Krymi.
Në dëshminë e tij, Hoxha ka thënë se nuk kishin arritur ta kryenin planin për shkak të pandemisë, dhe se kishin planifikuar që ta ekzekutonin me snajper edhe në burg pasi Ndoci u arrestua.
“Kam marrë porosi për vrasjen e Altin Ndocit. Kjo për shkak se këta ishin bërë bashkë dhe ishin bërë kundra Krymit. U mor porosia po nuk u bë, se ishte Covidi. Ndoci ka jetuar nga zona e “Misto Mames”.
I kam kaluar në lagje, ma ka treguar Nuredini. Bije shumë në sy se ishte pandemi, nuk kishte ku rrije. Sipas Nuredinin Krymi e kishte porositur. Ai investonte. Pastaj Ndoci ra në burg. Po pasi ishte ne burg, a vijoi ndonjë plan Nuredini për vrasjen e tij?
Ne jemi interesuar për ta vrarë Altin Ndocin me snajper brenda në burg. Nuredini e diskutonte me mua. Ishte në ëndrrat e tij, por nuk e kemi realizuar.”, ka dëshmuar ai.


