Policia e Durrësit ka arrestuar një inspektor të shpallur në kërkim, punonjës i Portit të Durrësit, i akuzuar për shpërdorim detyre në lidhje me dosjen e skandalit të “Kurum”.
I arrestuari është Xhuljo Golgota, Inspektor i Portit të Durrësit.
Policia vendore bëri me dije se 37-vjeçari ishte në kërkim në kuadër të aksionit të koduar “Eko-Toxic”, e që lidhet me dosjen e bujshme të mbetjeve kimike të “Kurum”, për të cilën tani ka 21 të ndaluar me masa sigurie dhe 12 të tjerë në kërkim apo hetim.
“Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare kapën dhe ndaluan Xh. G., 37 vjeç, banues në Durrës, i cili ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, me vendimin e datës 03.02.2026, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Vijon puna për kapjen e shtetasve të tjerë në kërkim.


