Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK) ka kërkuar 10 vite burg për ish kreun e Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), Evis Berberi ndërsa akuzohet për kryerjen e disa veprave penale.
Prokuroria e Posaçme kërkon shpalljen fajtor dhe dënimin me 10 vite burg të ish vartësit të Belinda Ballukut për akuzën e shpërdorimit të detyrës, korrupsionit pasiv, dhe shkeljes së barazisë në tendera. Dënimi mund t’i ulet në 1/3 për shkak të gjykimit të shkurtuar, si dhe gjithashtu mund t’i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për 5 vite.
Po ashtu, SPAK kërkon nga GJKKO konfiskimin e parave të gjetura, 15 mijë euro, 35 mijë paund, 1 milionë lekë të rinj dhe pasuritë e tij.
DOSJA ARRSH
Ish vartësi i Belinda Ballukut, Evis Berberi u arrestua më 14 mars 2024. Sipas Prokurorisë së Posaçme, Berberi rezulton i përfshirë në raste korruptive me 8 tendera që kapin vlerën e 5 milionë eurove.
SPAK ka dyshime se Berberi, fillimisht si Drejtor i Efiçencës së Energjisë, ka zhvilluar tre procedura prokurimi me vlerë rreth 1.2 milionë euro që janë fituar nga kompania DAAM që drejtohej nga Valter Begaj, por që defakto sipas Prokurorisë, kompania zotërohej prej Berberit. Po kështu, SPAK dyshon se në kohën që Berberi drejtonte ARRSH, e njëjta kompani ka fituar tre tendera të tjerë më vlerë rreth 1 milionë euro.
Hetimet e prokurorisë zbuluan gjithashtu se kjo kompani është përdorur për kalimin drejt saj të sasive të mëdha të parave, nga kompania tjetër, “Net Group”, e sipërmarrësit Begaj, përmes transaksioneve të ndryshme. Paratë e kaluara në favor të kompanisë “Daam”, janë përdorur për të blerë prona të patundshme në emër të kësaj shoqërie. Këto veprime kanë ngritur dyshime për Prokurorët, se gjenden përballë një veprimtarie të pastrimit të parave.
Transaksionet nga “Net Group” drejt shoqërisë “Daam”, në zotërim indirekt nga Berberi, përkojnë, sipas hetimeve, me kohën kur shoqëria “Net Group” rezultoi fituese e disa tenderave të shpallur nga Agjencia për Efiçencën e energjisë dhe Autoritetit Rrugor, nën drejtimin e Berberit.


