Sot për të 42-në herë do të mbahet seanca në tentativë për konstituimin e Kuvendit.
Pavarësisht aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese dhe takimeve të presidentes Vjosa Osmani me liderët partiakë, edhe kjo seancë e Kuvendit duket të jetë e njëjtë dhe pa zgjidhje.
Derisa Lëvizja Vetëvendosje (LVV) nuk po heq dorë nga emri i Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, partitë tjera po e shohin Haxhiun si jo unifikuese për bashkimin e forcave politike.
Partitë si PDK dhe AAK kanë bërë thirrje që LVV të ndryshojë kandidat për kryetare, ndërsa nga LDK kanë deklaruar se nuk do ta votojnë asnjë emër të propozuar nga LVV për këtë rol. Ky pozicion tregon për ndarjen e thellë mes partive, e cila vazhdon të jetë një pengesë e madhe për procesin e konstituimit.
Ndërkaq, një ditë më parë, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, në një deklaratë për media lidhur me ngërçin politik në vend, ka theksuar rëndësinë e votimit në Kuvendin e Kosovës. Ajo ka sugjeruar se votimi i fshehtë, megjithatë, nuk përjashtohet si mundësi.
Presidentja Osmani theksoi se “Votimi i fshehtë nuk përjashtohet si mundësi, megjithatë për të kërkohet konsensusi i deputetëve. Kjo nënkupton që duhet të ketë votë, vendim të seancës para se të shkohet te një mënyrë e tillë.” Kjo nënkupton se diskutimet mes partive mbeten të nevojshme për të arritur një zgjidhje konsensuale.
Osmani tutje theksoi se nëse Kuvendi nuk arrin të konstituohet brenda afatit të përcaktuar nga Kushtetuesja, ajo do t’i drejtohet Gjykatës me një kërkesë për sqarim për pasojat juridike. “Moskryerja e këtij detyrimi nuk ec pa pasoja, pra do të ketë pasoja juridike… Nuk është që ne mund të presim që Gjykata do të thotë mirë pas 30 ditësh vazhdoni njësoj, takohuni çdo dy ditë dhe mos bëni asgjë”, theksoi ajo.
Situata aktuale në Kuvend tregon se ka një ndarje të qartë mes partive kryesore, ku qëndrimet janë diametralisht të kundërta. Megjithatë, presidentja Osmani është e sigurtë se duhet të ketë afrim mes partive brenda afatit. Komunikimi i vazhdueshëm dhe angazhimi i liderëve të partive janë thelbësore për tejkalimin e kësaj krizë politike.
Përballë kësaj situate të tensionuar, qytetarët presin më shumë nga liderët e tyre. Ata kanë shprehur shqetësime për stabilitetin e vendit dhe për rëndësinë e një qeverisjeje efikase dhe transparente. Ngërçi politik ka ndikuar në besimin e publikut në institucione dhe është e nevojshme që liderët të gjejnë një zgjidhje urgjente dhe të pranueshme nga të gjitha palët.
Secili prej liderëve të partive duhet të marrë përgjegjësinë dhe të tregojë gatishmërinë për të negocuar dhe arritur një marrëveshje. Vendi ka nevojë për një Kuvend funksional si platformë për diskutimin dhe zgjidhjen e çështjeve që i prekin qytetarët direkt. Çdo vonesë në procesin e konstituimit është një humbje e mundësisë për avancimin e vendit.