30 Janar
35 mijë amendamentet e VMRO-DPMNE-së tani për tani po mbajnë pezull Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Përkthimi i tyre është në vijim e sipër, por pavarësisht kësaj, Kuvendi nuk ka datë konkrete se kur mund të vazhdohet seanca për shqyrtimin e amendamenteve. Në një takim me gazetarët, Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi kërkoi nga deputetët e opozitës të tërhiqen nga vendimi siç e quan ai, politik. Në të njëjtën kohë, Xhaferi bëri me dije se seancat maratonike për shqyrtimin e mundshëm të amendamenteve nuk ndërlidhen me çështjen e nënkryetarëve të ligjvënësit. Duke u thirrur në Rregulloren e Kuvendit, Xhaferi propozoi që VMRO-DPMNE-ja të adresojë dilemat në Gjykatën Kushtetuese. Por partia e Mickovskit mbetet në qëndrimin e njëjtë. Sipas deputetit Ilija Dimovski, tërheqja e këtij subjekti nga amendamentet mund të ndodhë atëherë kur shumica është e gatshme për konsensus shoqëror me opozitën rreth Ligjit për përdorimin e gjuhëve.
Sjellja e 35 mijë amendamenteve nga ana e VMRO-DPMNE-së ka për qëllim ngritjen e vetëdijes tek shumica parlamentare, Qeveria dhe opinioni se për çështje të tilla nevojitet konsensus shoqëror dhe jo vetëm politik. Nëse do të synonim bllokimin e Kuvendit, ne kishim mundësi të sillnim edhe 350 mijë amendamente – tha Ilija Dimovski, Deputet i VMRO-DPMNE-së.
Partnerët e koalicionit mbeten në qëndrimet e një ditë më parë rreth vendimit të VMRO-së për 35 mijë amendamente. Rregullorja e Kuvendit nuk mundëson mos shqyrtimin e amendamenteve, por Kryetari i Kuvendit shpreh gatishmërinë e tij që vendimit politik të opozitës t’i përgjigjet në mënyrë politike. Dilema mbetet në mundësinë që Kuvendi ta votojë leximin e tretë pa filluar shqyrtimi i amendamenteve. Kjo për VMRO-DPMNE-në do të ishte e papranueshme pasi që sipas tyre, veprimi i tillë do të shkelte imazhin e Kuvendit por në të njëjtën kohë do të krijonte tensione. Mbi konstatimet e Presidentit Gjorge Ivanov për mos dekretimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, VMRO-DPMNE-ja propozoi plotë 35569 amendamente, prej tyre 33834 vetëm për nenin 22, respektivisht nenin ku parashikon gjoba dhe dënime për institucionet që nuk zbatojnë Ligjin e gjuhëve. Referuar numrave, Ligji për përdorimin e gjuhëve përbëhet nga rreth 4000 fjalë. Matematikisht, VMRO-DPMNE-ja ka propozuar mbi 8800 amendamente për çdo fjalë të ligjit. Më 11 janar Kuvend votoi me 69 vota pro Ligjin për përdorimin e gjuhëve, ndërsa më 17 janar, Ivanov kumtoi mos-dekretimin e tij duke e cilësuar si ligj jo kushtetues dhe cenues të karakterit unitar të vendit.
Adrian Kerimi

