Zyrtarizohet edhe formalisht koalicioni mes Aleancës për Shqiptarët dhe Lëvizjes Besa për rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale. Lëvizja Besa dhe Aleanca për Shqiptarët kërkojnë nga aktivistët e tyre që të mobilizohen që sot me fushatë për kandidatin e koalicionit, dhe ditën e zgjedhjeve të kremtojnë fitoren e përbashkët. Elmi Aziri nga Aleanca dhe Afrim Gashi nga Lëvizja Besa, thanë se ata tani nuk kanë kohë për të kalkuluar se çfarë është dashur të bëjnë, por që koalicioni ka ndodhur dhe duhet fituar doemos komunat ku garohet bashkë…
AFRIM GASHI, LËVIZJA BESA
“I ftoj të gjithë aktivistët, simpatizantët, votuesit e Besës që në komunat ku garon Aleanca për shqiptarët në raundin e dytë, përveç që ta japin votën, të jenë aktiv gjatë këtyre 12 ditëve të ardhshme, dhe të bëjnë çmos që me skenën politike, komunat,të menaxhojë një strukturë e re politike. Shumë shpresojmë dhe besojmë se kjo frymë tash që po ndërtohet, të jetë frytdhënëse dhe në të ardhmen të jetë një koalicion që mund të garojë edhe në zgjedhjet e ardhshme”ELMI AZIRI, ALEANCA PËR SHQIPTARËT
“Ju bëj thirrje gjithë aktivistëve, simpatizuesve, përkrahësve të Aleancës për Shqiptarët që të jenë aktiv më 29 tetor, po aq sa kanë qenë më 15 tetor në rrethin e parë. Ta mbështesin fuqishëm koalicionin mes Aleancës për Shqiptarët dhe Lëvizjes Besa. Gjithandej ku ka kandidat të këtyre dy subjekteve politike bëjmë apel që të përkahen maksimalisht dhe ky koalicion të rezulton shumë i suksesshëm”
Nga ky koalicion thonë se nuk u intereson e kaluara mes tyre, por e ardhmja e shqiptarëve të Maqedonisë.
ELMI AZIRI, ALEANCA PËR SHQIPTARËT
“Konsideroj se nuk na shërben nëse kthehemi në të kaluarën. Shpeshherë mund të ndodhë që e kaluara të bëhet pengesë për të ardhmen. Por ne jemi të interesuar shumë që të gjitha pengesat që i kemi pasur t’i eliminojmë, dhe në të ardhmen t’i eliminojmë, e pastaj të korrim sukses në të gjitha komunat ku konkurrojmë. Ky rreth i dytë është një test shumë i mirë dhe i jashtëzakonshëm që ne të bëjmë rivlerësim të pozicioneve tona dhe shpresoj se do të funksionojë në frymën më të mirë që pastaj të na shërbejë edhe në të ardhmen”
Ndërkaq, Afrim Gashi nga Lëvizja Besa tërhoqi një paralele të koalicionit LSDM-BDI me vitin 2006, kur edhe VMRO-ja u përpoq të shtrembërojë dhe mos respektojë vullnetin e shqiptarëve.
AFRIM GASHI, LËVIZJA BESA
“Mendoj se ky është një momentum i ri, prandaj mendoj se shqiptarët duhet të ndjejnë po të njëjtën ndjenjë që e kishin në vitin 2006, kur ndjeheshin se dikush iu është futur thellë në vullnetin politik të shqiptarëve. Ndoshta tani është kohë tjetër. Duhet ta rivlerësojmë atë moment. Por, nëse në 2006-tën gjithë ne kemi dashur që në kampin politik shqiptar, shqiptarët të jenë ata që vendosin fituesin, vlerësoj se kjo ndërhyrje tani nuk është e dobishme as për shqiptarët e as për shtetin”
Përfaqësuesit e dy partive politike thanë se përmes këtij koalicioni synojnë të fitojnë të gjitha komunat në të cilat garojnë në rreth të dytë të zgjedhjeve lokale. Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/

