18 October
Pavarësisht akuzave të ndërsjella mes Aleancës për Shqiptarët dhe Lëvizjes Besa, këto subjekte politike arritën që të gjejnë gjuhën e përbashkët, për të garuar së bashku kundër BDI-së në rundin e dytë të zgjedhjeve lokale. Dy partitë që në zgjedhjet parlamentare të dhjetorit bën përpjekje për koalicion, por në vend të arritjes së marrëveshjes, ato përfunduan me akuza të ndërsjella si për programet apo edhe për çështje tjera, përfshirë edhe ato financiare. Përplasje kishte edhe sa i përket deklaratës së përbashkët të partive shqiptare. Përpjekja e radhës për koalicionim ishte në rrethin e parë të zgjedhjeve lokal, por dy partitë përkundër afrimit të qëndrimeve vendosën që në zgjedhje të shkojnë të vetme, por dy lënë mundësinë për bashkëpunim në rrethin e dytë, që edhe u konkretizua me marrëveshjen e sotme. Njohësit e çështjeve politike thonë se koalicionet janë demokratike pavarësisht mënyrës së arritjes së tyre, në veçanti tek shqiptarët të cilët në vazhdimësi kanë kërkuar unifikim të opozitës shqiptare. Duke e pasur parasysh se nga ana tjetër kemi bashkëpunim parazgjedhorë të BDI-së dhe LSDM-së, bashkëpunimin mes Aleancës dhe Besës është i nevojshëm për të dy subjektet, thotë analisti Albert Musliu.
Duhet të jetë kjo një mësim për gjithë subjektet politike që të rruhen prej fjalëve të mëdha të proceseve politike sepse demokracia është edhe lojë numrash dhe ndonjëherë bie nevoja për bashkëpunim. Mendoj se nuk është asgjë jonormale, ata janë në gara politike dhe në këto gara u nevojiten numrat. I kanë bërë ata llogaritë e tyre dhe kanë konkluduar se u duhen numrat për të vazhduar në rundin e dytë sepse ata në çdo komunë ku ka balotazh, e kanë BDI-në konkurrent. Për të qenë më konkurrent kanë hy në procesin e negociatave. Nga ana tjetër BDI dhe LSDM kishin koalicion parazgjedhorë i cili sulmoheshte, por i njëjti ishte koalicion numrash – tha Albert Musliu, analist politik.
Analisti Naser Zyberi thotë se nga ana tjetër se koalicioni i tillë mes Aleancës dhe Besës mund të ishte bërë që para zgjedhjeve parlamentare që do të kishte efekt edhe më të madh. Ai thotë se koalicioni i tanishëm ka rëndësi edhe për krerët e dy partive që janë gjithashtu janë edhe kandidat për kryetar të komunave pasi si i tillë mund të vendos edhe për të ardhmen e tyre.
Si duket rezultatet që i morën edhe në zgjedhjet lokale edhe në rrethin e parë zgjedhorë të zgjedhjeve lokale, ata më në fund u bindën se pa një bashkëpunim mes vete, nuk mund të jenë konkurrent me BDI-në. Ky bashkëpunim është i motivuar sidomos nga fakti që dy kryetarët e partive janë në balotazh dhe me pikëpyetje të madhe se si do të përfundoj rundi i dytë zgjedhorë. Kjo është një motiv plotësues që këto dy parti politike të ulen dhe të bashkëpunojnë – deklalroi Naser Ziberi, analist politik.
Analistët vlerësojnë se bashkëpunimet mes partive duhet të ndërtohen për një afat sa më të gjatë kohor bazuar në programeve të tyre për të dëshmuar se nuk janë bërë për interesa personale, por të votuesve që përfaqësojnë. Një bashkëpunim për zgjedhjet lokale në rrethin e dytë zgjedhor ka edhe mes BDI-së dhe LSDM-së.
Besian Leka

