Rrethi i dytë i zgjedhjeve pritet të jetë dramatik në Komunën e Strugës. Kryetari aktual i Komunës, Ziadin Sela në rrethin e parë mori 9.289 vota, ndërsa në rrethin e dytë do të përballet me Ramis Merkon e BDI-së, i cili fitoi 7.916 vota.
Tashmë janë duke u kalkuluar aleancat e mundshme, të cilat pritet edhe të nxjerrin kandidatin fitues. Nëse merret parasysh aleanca parazgjedhore ndërmjet BDI-së dhe LSDM-së në disa komuna, pritet që Ramis Merko të marrë mbështjen e partisë së Zoran Zaevit.
Në rrethin e parë të zgjedhjeve, kandidati i LSDM-së, Vasil Ashtallkoski mori 7.140. Nëse bëhet një kalkulim matematikor, i votave të Ramis Merkos dhe Vasil Ashtallkoskit, i bie që koalicioni i mundshëm BDI-LSDM në rrethin e dytë të zgjedhjeve ka një trup votues më shumë se 16 mijë vota.
Një situatë e tillë hipotetike do të ishte shqetësuese për Aleancën për Shqiptarët, e cila deri tash ka marrë mbështetjen formale të Lëvizjes BESA në garën për rrethin e dytë të zgjedhjeve.

