Natën e 27 prillit, kur një grup huliganësh u futën në Kuvend dhe sulmuan Zoran Zaevin dhe deputetët e tjerë të LSDM-së, Ziadin Sela pësoi më së rëndi. Ai ishte goditur deri në momentet kur kishin vlerësuar se Sela tanimë ishte i vdekur. Më pas ishte vetë Zoran Zaev ai i cili konfirmoi se Sela kishte dalë në vijë të parë dhe i ishte drejtuar turmës për të shpëtuar kolegët e tjerë, përfshirë këtu edhe vetë Zaevin.
ZORAN ZAEV, KRYETAR I LSDM-SË
“Ziadin Sela, Zoran Zaev dhe disa të tjerë ishin më shumë të lënduar. Aq e fuqishme ishte rrahja saqë e humbi vetëdijen dhe ata besuan se ka vdekur dhe e kanë lënë. Përse? Sepse të njëjtit erdhën tek unë dhe duke treguar ka ai më thanë: E patë shokun tuaj Ziadin Selën, atje është i vdekur dhe ju e keni rradhën. Do t’ju vrasim dhe këtu s’ka të lëshuar deri sa t’ua marim jetërat dhe ajo ishte ashtu e organizuar. Këtu ishte Ziadini, afër meje dhe kamerat e treguan, në një moment, sot mora përgjigje sepse se dija pse doli. Ai më tha kështu: koleg pash një situatë të qetë në një moment dhe besova se nëse shkoj do t’ju shpëtoj edhe juve, unë jam Ziadin Sela”
Sela atë ditë ishte lënë i vetëm që nga momentet kur kishte lëvizur nga salla e konferencave, përderisa kolegët e tij, si partner i koalicionit ashtu dhe kolegët nga BDI, lëviznin lirshëm në mesin e huliganëve dhe në disa raste edhe përqafoheshin me ta. I vetmi që i kishte ndihmuar pasi e kishin lëshuar hulinagët, kishte qenë një pjestar i sigurimit të Kuvendit.
Përveç që rrezikoi jetën e tij me shpresë që do të shpëtonte kolegët e tjerë me daljen e tij në vijë të parë, Sela luajti dhe një rol tjetër që po ashtu i ndihmoi shumë Zoran Zaevit dhe LSDM-së. Sela dhe dy kolegët e tij nga Aleanca për Shqiptarët ishin vendimtarë në formimin e Qeverisë së re të drejtuar nga Zoran Zaev. I vetëdijshëm për këtë moment, Zaev nuk kishte pritur as që Sela të ngrihet nga krevati dhe që nga vizita që i bëri në Spital, i kishte hapur edhe temën për formimin e Qeverisë.
ZORAN ZAEV, KRYETAR I LSDM-SË
“Mua më vjen mirë që kolegu im Ziadin Sela përparon, është në gjendje të mirë shëndetësore dhe në përputhje me vendimet e ekipit të mjekëve që kujdesen për të, kur do të vendosin ta lëshojnë në shtëpi, ai do t’i dëgjojë mjekët, është parimor, i kujdesshëmn dhe i dëgjueshëm kur bëhet fjalë për shëndetësinë. Gjithsesi se biseduam edhe për hapat e mëtejmë politik si partner potencial që duam t’i lëvizim punët. Ai është i interesuar për hapat e mëtejmë se si lëvizin”
Për ta bindur Selën që të jetë pjesë e koalicionit qeveritar ose të paktën ta mbështesë atë, Zaev kishte ardhur der në Tetovë në selinë qëndrore të Aleancës për të biseduar për formimin e Qeverisë e cila veç tjerash do të shpëtonte edhe vetë Zaevin dhe LSDM-në.
ZORAN ZAEV, KRYETAR I LSDM-SË
“Bisedimet rrjedhin me të gjitha partitë politike. Shpresoj se në fillim do t’i rrumbullaksojmë parimet e rendësishme për atë që është interes i qytetarëve dhe vendit tonë. Më vjen mirë që punët lëvizin në drejtim pozitiv dhe besoj se sot ose nesër do të flasim edhe për resoret. Jam i kënaqur si rjedhin punët dhe më vjen mirë që edhe zoti Sela është shëruar qëe të mund të hyjmë në bisedime me Aleancën për Shqiptarët”
Sela në atë kohë shihej si shpëtimtar i Qeverisë së re, ndërsa për BDI-në der në mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare vetë Zaev pati thënë se janë të njëjtë si VMRO-DPMNE, të koruptuar dhe kriminel.
ZORAN ZAEV, KRYETAR I LSDM-SË
“Hapëm dy nga 37 bomba, për BDI-në ishin të dyja. Ja publikisht them, është korruptuar edhe një pjesë e BDI-së dhe s’ka ikje nga kjo. Bashkë me VMRO-DPMNE-në kanë ndarë para, pronë të qytetarëve dhe Republikës së Maqedonisë”
Në mesin e funksionarëve të shumtë të apostrofuar në bombat që i publikonte Zoran Zaev ishte edhe vetë Ramiz Merko, sot kandidat i BDI-së për kryetar në Komunën e Strugës.
ZORAN ZAEV, KRYETAR I LSDM-SË
“Ai është i njëjti Ramiz Merko të cilin vetë kryesia e BDI-së që e kishte ofenduar para disa ditëve, e ka emëruar si anëtar i kryesisë së BDI-së”
Por, vetëm 7 muaj pas ditës së kobshme në Kuvend, Zoran Zaev haroi dhe ndryshoi gjthçka. Ziadin Sela sot nuk është kolegu i cili rrezikoi jetën e tij dhe i shpëtoi jetën dhe Qeverinë Zaevit. As BDI dhe Ramiz Merko sot nuk janë të kriminalizuar dhe korruptuar. Sot, Zoran Zaev mbështet pikërisht Merkon dhe BDI-në kundër Ziadin Selës në garën për Komunën e Strugës. Arben Zeqiri /SHENJA/

