Spasovski: Janë kontrolluar mbi 50 kamera, kërkime në Vardar, bodrume, manastire, kisha…
Më shumë se 100 policë janë të kyçur në operacionin e kërkimit të 14-vjeçares Vanja Gjorçevska, e cila tashmë pesë ditë konsidertohet e zhdukur dhe pas denoncimit të nënës së saj gjatë të hënës.
Ministri i Brendshëm potencoi se për momentin nuk mund të jepen informacione të detajuara, duke u zotuar se kërkimet për 14-vjecaren e zhdukur paraqesin prioritet mbi prioritetet.
Ministri Spasovski tha se kërkime janë zhvilluar edhe në shtratin e lumit Vardae dhe në hapësira të bodrumeve si dhe po mblidhen të dhëna nga kishat dhe manastiret afër Shkupit.
“Janë shfrytëzuar të gjitha kapacitetet e mundshme që lidhen me kërkimet. Janë kontrolluar xhirimet e mbi 50 kamerave të sigurisë, kurse në funksion të plotë është edhe sistemi “Qyteti i sigurtë”. Po analizohen të dhënat nga operatorët e telekomit, janë marrë në pyetje dhjetëra persona, po bëhen ekspertiza të aparateve elektronike të familjes dhe tashmë kemi të dhëna të caktuara nga këto aparate që mund të jenë të dobishme për hetimet”, deklaroi Oliver Spasovski.
MPB-ja, sipas Spasovskit, do të ndërmarrë masa kundër atyre që nëpër rrjetet sociale publikojnë lajme të rrejshme që lidhen me rastin.
Nëpër rrjete sociale përhapet fotografia e Vanja Gjorçevskës ku është shkruar mesazhi në gjuhën angleze dhe u drejtohet gjithë rajonit – Serbisë, Kosovës, Shqipërisë, Bullgarisë dhe Greqisë si dhe gjithë botës ku potencohet se 14-vjecarja është e zhdukur.
Të martën MPB-ja në ueb-faqen e saj, në regjistrin për persona të zhdukur, publikoi fotografinë e 14-vjecares, kurse në operacionin e kërkimit, krahas shumë organizatave civile është kyçur edhe Interpoli./KlanMacedonia