Shefi i Delegacionit të BE-së në Shkup, Samuel Zhbogar, ka deklaruar sot nga Kumanova se procesi i reformave në vend vazhdon. Ai tha se, Bashkimi Evropian dëshiron të shohë përkushtim jo vetëm nga ana e Qeverisë për vazhdimin e reformave, por edhe nga Kuvendi dhe nga partitë politike.
Sipas tij, për realizimin e reformave është e nevojshme të ketë bashkëpunim mes gjithë palëve politike dhe se ajo është e një rëndësie shumë të madhe.
Zhbogar ka shtuar se ka bashkëpunim mes Qeverisë dhe opozitës dhe se shpreson se ky bashkëpunim të vazhdoj edhe në të ardhmen.
“Në BE i gëzohemi vazhdimit të procesit të reformave. Kuptohet që duhet nga vetë institucionet shtetërore të ketë rezultate dhe kjo do të ketë efekt pozitiv në raportet mes BE-së dhe vendit në vitin vijues. Shohim bashkëpunim mes Qeverisë dhe opozitës, përkatësisht partive në Kuvend dhe ne si Bashkim Evropian inkurajojmë këtë proces dhe shpresojmë se ky lloj bashkëpunimi mes partive politike në Kuvend do të vazhdoj në të ardhmen dhe do të japë rezultate”, ka deklaruar Samuel Zhbogar. /SHENJA/

