27 November
Kryetarët e shumë gjykatave në vend janë zgjedhur para se të fillojë reforma e paralajmëruar në drejtësi. Këshilli i Gjykatësve ju ka dhënë mandatin kryegjykatësve të rinj duke vepruar sipas mënyrës së deritanishme. Mbivotimi apo shumica e votave në Këshill ka qenë kushti vendimtar dhe më i rëndësishëm se të gjitha kriteret e tjera apo niveli i përgaditjes profesionale të kandidatëve që kanë garuar për kryetarë të gjykatave.
Në Gjykatën Themelore të Tetovës kryetar është zgjedhur Hasan Asani nga 7 kandidatë që ishin paraqitur në garë. Fillimisht Enver Bexheti ka tërhequr kandidaturën, ndërsa nga 6 kandidatët e ngelur Asani në vlerësimin e përgjithshëm është radhitur i katërti në listë me 207 pikë.
Para tij ka pasur tre kandidatë me një dallim të madh në pikët e fituara. I pari në listë ka qenë Bekim Jahija me me 247, i dyti Nazif Iljazi me 245 dhe i treti Abdulla Aziri me 221 pikë. Përveç kësaj ajo që dallon Asanin nga kundërkandidatët e tij që morën vlerësim më të lartë është se ai nuk vjen si kuadër i Akademisë së Gjykatësve, ndërsa vetë kandidati i cili kishte marrë vlerësime më të mira duke u radhitur i pari në listë ka qenë kuadër i akademisë.

