Kryetarët e shumë gjykatave në vend janë zgjedhur para se të fillojë reforma e paralajmëruar në drejtësi. Këshilli i Gjykatësve ju ka dhënë mandatin kryegjykatësve të rinj duke vepruar sipas mënyrës së deritanishme. Mbivotimi apo shumica e votave në Këshill ka qenë kushti vendimtar dhe më i rëndësishëm se të gjitha kriteret e tjera apo niveli i përgaditjes profesionale të kandidatëve që kanë garuar për kryetarë të gjykatave.
Në Gjykatën Themelore të Tetovës kryetar është zgjedhur Hasan Asani nga 7 kandidatë sa ishin paraqitur në garë. Fillimisht Enver Bexheti paraprakisht ka tërhequr kandidaturën, ndërsa nga 6 kandidatët e ngelur Asani në vlerësimin e përgjithshëm është radhitur i katërti në listë me 207 pikë.
Para tij ka pasur tre kandidatë me një dallim të madh në pikët e fituara. I pari në listë ka qenë Bekim Jahija me me 247, i dyti Nazif Iljazi me 245 dhe i treti Abdulla Aziri me 221 pikë. Përveç kësaj ajo që dallon Asanin nga kundërkandidatët e tij që morën vlerësim më të lartë është se ai nuk vjen si kuadër i Akademisë së Gjykatësve, ndërsa vetë kandidati i cili kishte marë vlerësime më të mira duke u radhitur i pari në listë ka qenë kuadër i Akademisë.
Televizioni SHENJA kontaktoi edhe kryetarin e Këshillit të Gjykatësve Zoran Karaxhovski, të cilin e pyetëm se cili ka qenë kriteri që i ka dhënë përparësi kryetarit të ri të Gjykatës edhe pse i njëjti ka qenë i ranguar si i katërti në listën e vlerësime.
Karaxhovski konfirmoi rangimin e kandidatëve dhe faktin se kryetari i ri i gjykatës së Tetovës nuk vjen nga Akademia, por tha se kjo nuk i pengon të marin atë post. Sipas Karaxhovskit vendimtar në zgjedhjen e kryetarëve është shumica e votave në këshill.
ZORAN KARAXHOVSKI, KRYETAR I KËSHILLIT TË GJYKATËSVE
“Është i vërtetë rangimi për të cilin pyesni dhe fakti se nuk vjen nga Akademia, por për kryetarët e gjykatave nuk është kusht të jenë kuadro të Akademisë. Kusht është që të kenë shumicën e votave në këshill. Në rastin e Tetovës kandidati ka marrë shumicën e votave të këshillit dhe shumicën e Badenterit”
Zgjedhja e kryetarëve të rinj të gjykatave në vend vjen para reformimit të gjyqësorit në vend. Ky proces reformues erdhi si domosdoshmëri për shkak të vlerësimeve të shumta nga organizatat ndërkombëtare dhe Komisioni Evropian për politizim të gjyqësorit dhe emërimit të kuadrove partiake në institucionet kryesore. Më pas ky fenomen u dëshmua edhe gjatë publikimit të aferës së përgjimeve në të cilën dëgjohej edhe vetë ish ministri i drejtësisë, Blerim Bexheti, duke negociuar me ish ministren Gordana Jankullovska dhe me bashkëpartiakët e tij për ndarjen e vendeve të rëndësishme në gjykata dhe prokurori.
Në bisedat e publikuara nga Zaev dëgjohej po ashtu se BDI në gjyqësi dhe prokurori emëron kuadro partiak dhe se bashkë me VMRO-në kishin ndikim edhe gjatë votimit në këshillin e gjykatësve dhe të prokurorëve.
Në përzgjedhjen e fundit, vetëm në dy qytete kryetarët janë zgjedhur kuadro që vijnë nga Akademia e Gjykatësve, ndërsa nuk është zgjedhur kryetari i Gjykatës së Dibrës pasi asnjëri nga tre kandidatët eparaqitur nuk ka marrë shumicën e nevojshme në këshillin e gjykatësve. /Arben Zeqiri

