30 March 2018 / 15:05
Norma e 20%-shit të përfaqësimit të shqiptarëve në sektorin publik ende nuk është plotësuar. Kjo u bë e ditur sot kur Qeveria gjatë raportit vjetorë, për herë të parë i publikoi shifrat nga regjistri i Ministrisë së Shoqërisë Informatike. Sipas tyre, gjithsej 130.009 persona janë të punësuar në sektorin publik, prej të cilëve 75.39% janë maqedonas, ndërsa shqiptarë vetëm 19.31%. Pjesa e mbetur u takon etniteteve tjera pakicë. Ministri për Shoqëri Informatike Damijan Mançevski tha se nuk ka dëshirë që të bëj ndarje etnike kur flitet për punësime, duke u nisur nga politikat qeverisëse të partisë së tij, bazuar në moton “Shoqëri e përbashkët”.
Punësimi vetëm për të përmbushur të drejtën e përfaqësimit të pakicës në vend më nuk praktikohet. Dallimi i madh është se punësimet tani po bëhen duke u bazuar në kërkesën e institucioneve. Po, ekziston një program softeuerik që thirret “Ballancer” i cili nuk është pjesë e ligjit, por është pjesë e metodologjisë së Qeverisë për përfaqësim të drejtë të bashkësive etnike, i cili jep sugjerime për përkatësimin etnik për të punësuarin e radhës. Siç e patë, përqindjet janë ashtu siç janë. 75% janë maqedonas, 19% shqiptarët e kështu me radhë – deklaroi Damian Mancevski – Ministër i Shoqërisë Informatike.
Nga pikëpamja gjinore, 54% e të punësuarve në sektorin publik janë ferma, ndërsa 46% meshkuj. Arsimi dhe shëndetësia janë dy sektorët që gravitojnë numër më të madh të punëtorëve. Pjesa dërmuese e të punësuarve i takonte grup moshës nga 46-55 vjet. Ndërkaq nga numri i përgjithshëm i të punësuarve ne sektorin publik, 60% janë pjesë e institucioneve lokale ndërsa 40% në nivel qendror. Ministri i administratës Mançevski gjithashtu bëri me dije se 11 institucione në Maqedoni që nuk kanë as edhe një njeri të punësuar.


