17 October
Në mesnatë skadon afati për dorëzimin e ankesave në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve. Deri më tani asnjëra nga partitë politike nuk është ankuar zyratrisht, për parregullsitë eventuale gjatë procesit zgjedhor të së dielës.
Deri në këtë orë në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve nuk kanë arritur ankesa nga ana e partive politike, mirëpo dëshirojmë t’i rikujtojmë se në bazë të Kodit Zgjedhor prej shpalljes së rezultateve elektronike të gjithë partitë politike kanë të drejtë të parashtrojnë ankesë prej 48 orëve. Ndërsa prej shpalljes së rezultateve finale partitë politike kanë të drejtë të parashtrojnë gjithashtu ankesat e tyre në afat prej 48 orëve dhe ky afat skadon në ora 24 në ditën e sotme- deklaroi Arjeta Xhemaili, KSHZ.
Lëvizja Besa nuk do të dorëzojë ankesë, pasi të gjitha parregullsitë e paraqitura në organet vendase dhe ndërkombëtare gjatë ditës së zgjedhjeve janë menjanuar gjatë asaj dite.
Lëvizja Besa të gjitha parregullsitë i paraqiti në organet kompetente të vendit si dhe në organet vendase dhe ndërkombëtare të monitorimit. Me reagimin në kohë të vëzhguesve të Lëvizjes Besa, organet kompetente kanë reaguar. Edhe pse diku procesi është ndërprerë për një kohë të caktuar, parregullsitë janë mënjanuar dhe procesi ka vazhduar- thonë nga Lëvizja Besa.
Aleanca për Shqiptarët e Ziadin Selës po shqyrton mundësinë për padi penale për manipulime zgjedhore në Strugë.
Jemi në grumbullim të të të dhënave. Është diskutabile dhe simptomatike që në momentin e fundit Ramiz Merko shkoi në balotazh, duke e krijuar diferencën nga kandidati i LSDM-së. Edhe azhurnimi i të dhënave nga KSHZ-ja nuk ishte i njëjtë si në komunat e tjera. Këtë si rast po e analizojmë. Nëse gjejmë argumente të mjaftueshme do ta ankimojmë- bëjnë me dije nga Aleanca për Shqiptarët.
Edhe VMRO DPMNE po shqyrton se në cilat vendvotime ka nevojë për t’u ankuar. Ndërsa PDSH akoma pa qëndrim rreth kësaj çështjeje. Në zgjedhjet e së dielës sipas KSHZ-së rreth 46 000 fletëvotime u shpallën si të pavlefshme. Jozyrtarisht, shumica prej tyre për shkak se kanë qenë të rrethuara dy numra, ai i partisë Aleanca për Shqiptarët I drejtuar nga Ziadin Sela dhe i koalicionit RDK-UNITETI me po të njëjtin emër. Kjo huti te qytetarët erdhi për shkak se në këtë garë këto subjekte pos emrit, të njëjtë e kanë edhe llogon. Nga ana tjetër vetëm 5 nga gjithsej 59 ankesa të qytetarëve për shkeljen e të drejtës së votës janë miratuar nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve . Sipas KSHZ-së, shumicës së qytetarëve iu janë refuzuar ankesat për shkak se të njëjtit ose janë ankuar me vonesë ose nuk i kanë pasur dokumentet e nevojshme.
Anesa Salihu

