30 August
Partitë politike ende nuk kanë finalizuar listën e kandidatëve për kryetarë komunash. I pyetur për koalicion me lëvizjen Besa, Kreu i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela konfirmoi se grupet e punës të dy partive janë në bisedime por pa precizuar nëse do të arrijnë ndonjë marrëveshje.
Kemi një komision partiak I cili merret me negociata me partitë politike lidhur me zgjedhjet lokale. Deri më sot asgjë s’kemi konkretizuar për kandidatët. Jemi në përpjekje e sipër për të gjetur kandidatë i cili denjësisht do të përfaqësojë qytetarët, kemi disa kandidatura të cilat strukturat partiake janë duke i shqyrtuar – tha Ziadin Sela, Aleanca për Shqiptarët.
Sela rikonfirmoi se Aleanca do të mbështesë kandidaturën e Deharit në Kërçovë edhe pse tha se gjatë tërë kohës ka insistuar për kandidat të përbashkët të të gjitha partive shqiptare.
BDI-ja e Ahmetit deri tani ka zyrtarizuar kandidaturën e Visar Ganiut për Çair dhe Fatmir Deharit për Kërçovë. Ndërsa jozyrtarisht mësohet se BDI në Tetovë do të garojë me Teuta Arifin, ndërsa në Gostivar me Nevzat Bejtën.
Po bëhen konsultimet e fundit në parti, me bazën dhe strukturat e partisë dhe qytetarët për të gjetur më të mirët ne konsiderojmë se jemi favorit në këto zgjedhje lokale por duam që të dalim me kandidatët më të mirë, me program më të mirë. Deri më tani janë konfirmuar kandidati për Çair Visar Ganiu dhe kandidati për Kërcove Fatmir Dehari. Ditëve në vijim do të rrumbullakohen edhe emrat tjerë – u shpreh Bujar Osmani, BDI.
Nga Lëvizja Besa nuk japin detaje për kandidaturat duke thënë se kryesia qendrore vazhdon me konsultime me qëllim të zgjidhjes së kandidatëve më të denjë për kryetarë komunash.
Janë një prej zgjedhjeve më të rëndësishme për ne. Po mundohemi të bëjmë të gjitha përgatitjet si në aspekt të kandidaturave, të listave për këshilltar komunal, përgatitjen e projekteve të rëndësishme që të dalim me një program të pasur. Sa i përket koalicioneve të mundshme parazgjedhore jemi duke e shqyrtuar mundësinë më të mirë – njoftojnë nga Lëvizja BESA.
Jo zyrtarisht flitet se kreu i Lëvizjes Besa Bilall Kasami do të garojë në Tetovë, Shaban Zendeli në Likovë, ndërsa në Çair Besa duket se duhet të zgjedh mes Bekim Sali dhe Kastriot Rexhepi.
Afati për dorëzimin e listave të kandidatëve për kryetar të Komunave është deri më nëntë shtator, fushata zgjedhore fillon më 25 shtator, ndërkaq zgjedhjet lokale në vend janë caktuar për më 15 tetor.
Vjollca Aliti

