Deputeti i Partisë Demokratike në Shqipëri, Belind Këlliçi, ka reaguar ashpër ndaj raportimeve për largimin e ambasadorit të Shqipërisë në Shkup, duke ngritur dyshime se vendimi mund të lidhet me mbështetjen që diplomati u ka dhënë protestave të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut për përdorimin e gjuhës shqipe.
Në një postim publik, Këlliçi thotë se mediat kryesore në Shqipëri tashmë e kanë paraqitur si fakt të kryer shkarkimin e ambasadorit, ndërsa kritikon reagimin e ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Ferit Hoxha, duke vlerësuar se sqarimi i tij nuk përbën as informim, as përgënjeshtrim të lajmeve të publikuara.
Postimi i plotë i deputetit Belind Këlliçi:
Nëse i cilëson idiotë bën karrierë, nëse del në mbrojtje të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, shkarkohesh?!
Mediat kryesore në vend e kanë bërë fakt të kryer se ambasadori i Shqipërisë në Shkup, është shkarkuar për qëndrimet që mbajti në mbështetje të protestave të studentëve që dolën në mbrojtje të gjuhës shqipe.
I gjendur në këtë trysni dhe përballë një peticioni që paskan nënshkruar shqiptarë të Maqedonisë së Veriut në favor të ambasadorit, Ministri Ferit Hoxha ka shpërndarë një njoftim, që nuk është as sqarim, as informim, as përgenjështrim!!!
Ai nuk mohon lajmin, por mohon motivet. Pra thotë se lëvizjet në Ministrinë e Jashtme bëhen mbi kritere të tjera.
Feriti kërkon të thotë se nuk ka marrë vendim ndaj tij, për shkak se mbështeti protestën, po për motive të tjera.
Sigurisht, kjo është mungesë transparence dhe në rastin e kryediplomatit tonë po bëhet gjë e zakonshme. Por nga gjithë kjo histori, ka një paradoks që nuk mund të fshihet.
Kur i cilëson shqiptarët e Maqedonisë së Veriut si idiotë, siç bëri Feriti, me Edi Ramën bën karrierë, bëhesh Ministër i Jashtëm. Kur kapesh në këtë skandal, as nuk mban përgjegjësi, madje krekosesh me fodullëk para mediave duke thënë se ky etiketim është diçka e vogël, që duhet ta harrojmë.
Ndërsa në të njëjtin subjekt, në të njëjtin rrafsh, nëse del në mbrojtje të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut që u ngritën për të drejtat e tyre bazike siç është përdorimi i gjuhës shqipe, me Edi Ramën rrezikon dhe shkarkohesh.
Si mund të ndodhë kjo?!
Në vend se të shkarkohej Ministri që shkakton një dëm të madh në dilpomaci dhe përçarje tek shqiptarët, shkarkohet ambasadori që qëndron në krah të shqiptarëve!
Kur do mbajë një herë përgjegjësi zoti Ferit, që erdhi në këtë detyrë si aset, si zbulim i diplomacisë dhe nuk po mbyll një javë të vetme pa shkaktuar një incident?!


