Është shpallur Thirrja Publike nr. 02/2025 për Masën 112- “Ndihmë për fermerët e rinj për fillimin e veprimtarisë bujqësore” nga Programi për mbështetje financiare në bujqësi dhe zhvillim rural për vitin 2025, e cila parasheh mbështetje financiare për të rinjtë e moshës 18 deri në 40 vjeç që për herë të parë nisin veprimtari bujqësore, marrin në menaxhim një ekonomi bujqësore ekzistuese apo themelojnë një të re. Mbështetja maksimale është 600.000 denarë për përfitues, me mundësi për pagesë paraprake deri në 40% të shumës së miratuar.
Thirrja është e dedikuar për bujq të rinj të cilët:
• për herë të parë fillojnë me veprimtari bujqësore;
• marrin në menaxhim një ekonomi bujqësore ekzistuese ose themelojnë një të re;
• dhe janë të regjistruar në Regjistrin e vetëm të ekonomive bujqësore gjatë 18 muajve të fundit.
Zëvendësministri i Bujqësisë, Flakron Bexheti, theksoi se për këtë thirrje janë lehtësuar procedurat e aplikimit, me qëllim që sa më shumë të rinj të përfitojnë nga mundësia për të filluar veprimtari në bujqësi.
Përparësi në përzgjedhje do t’u jepet fermerëve individualë, anëtarëve të kooperativave bujqësore, grave të reja fermere, si dhe aplikuesve me arsim të përfunduar në fushën e bujqësisë ose veterinarisë. Gjithashtu, përparësi do t’u jepet projekteve që kanë për synim blerjen e mekanizimit bujqësor, pajisjeve për aktivitetet pas korrjes në prodhimin bimor, pajisjeve për përpunimin e produkteve bujqësore, si dhe pajisjeve për prodhimin blegtoral (qumësht, mish, vezë dhe përpunimi i tyre).
Afati i fundit për dorëzimin e kërkesave është 9 maj 2025.
“Qëllimi ynë është të aktivizojmë të rinjtë në prodhimin bujqësor. Masa 112 është një mundësi konkrete për të filluar një ekonomi të re bujqësore, për të ndërtuar të ardhmen në vendin tonë dhe për të kontribuar në zhvillimin e bujqësisë”, theksoi Bexheti.
Ai shtoi se Ministria dhe Qeveria do të vazhdojnë të punojnë në krijimin e politikave që motivojnë të rinjtë të qëndrojnë në vend dhe të zhvillojnë prodhimtari bujqësore cilësore, me synim që vendi të forcojë kapacitetet prodhuese dhe të njihet më gjerësisht si eksportues i produkteve bujqësore vendore.
“Angazhimi i të rinjve është një faktor kyç për modernizimin dhe avancimin e sektorit bujqësor”, përfundoi Zëvendësministri Bexheti. (INA)