Harta e re territoriale mesa duket po has kundërshtime edhe nga vetë të majtët. Përpos protestave të banorëve të bashkive të prekura, opozita e cila prej ditëve të nxehta të verës dhe deri më tani është duke i mëshuar fort bindjes së tyre se ky propozim është në dëm të vetë qytetarëve, e majta socialiste, me në krye vetë kryeministrin Edi Rama ka vijuar takimet dhe bindjen se ky propozim i tyre është në të mirë të shqiptarëve dhe asnjë prej shërbimeve nuk do u largohet atyre.
Mirëpo, paraditen e kësaj të hëne kanë qenë dy prej deputetëve të Partisë Socialiste, Erion Braçe dhe Vullnet Sinaj, ata të cilët kanë dalë publikisht hapur këtij propozimi i cili redukton me 46 numrin e bashkive.
Sipas asaj që mediat bënë me dije më herët, dy deputetët mësohet të jenë shprehur se reduktohet efikasiteti i bashkive në ofrimin e shërbimeve, ndërkohë vetë Taulant Balla, kreu i grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, u shpreh me bindje në mbledhje se Reforma e re do të miratohet.
Në pamje të parë, dy vota mund të duken si një kundërshtim i brendshëm që nuk ndryshon dot rezultatin.
Por, politikisht situata është edhe më komplekse, pasi për miratimin e hartës së re territorial nevojiten 84 vota në Kuvend dhe çdo lëvizje brenda kampit socialist merr rëndësi të veçantë kur mazhoranca përballet me një “opozitë” brenda vetes që e kundërshton propozimin e tyre.
Theksojmë se Erion Braçe ka qenë prej kohësh kritik ndaj mënyrës se si është zhvilluar procesi, duke argumentuar se komunitetet që preken nga shkrirja e bashkive nuk janë dëgjuar sa duhet.
Braçe ka ngritur veçanërisht shqetësimin për zona si Poliçani, Divjaka dhe Libohova, duke theksuar se këto nuk mund të konsiderohen vetëm si njësi administrative, por kanë histori, identitet dhe ekonomi të tyre. Sipas tij, reforma duhet të shkojë përtej një ndarjeje teknike të territorit.
Dhe në këtë klimë të krijuar pyetja që ngrihet është: A rrezikohet Reforma e re Territoriale, nëse ky qëndrim i Braçes dhe Sinajt pasqyrohet dhe me karton të kuq më 8 Tetor?!
Apo vetë mazhoranca socialiste do të gjejë edhe kësaj here “shpëtimin” te PSD?



