Kandidati i Lëvizjes BESA për Komunën e Çairit, Zeqirija Ibrahimi, ka mbajtur sot takim me qytetarët në hapësirën pranë objektit të Teatrit Shqiptar në Shkup. Gjatë konferencës për gazetarë, Ibrahimi ka komentuar reagimin e Komunës së Çairit, pas fillimit të fushatës së takimeve me qytetarët.
“Do të më lejoni ta falënderoj pushtetin komunal të Komunës së Çairit, sepse sapo ne e përfunduam konferencën e djeshme, ata na e shtuan edhe një argument se ne kemi të drejtë. Ata, meqë e shohin Komunën si organ të Partisë që e ka pushtetin komunal, edhe reagimet partiake i bëjnë në emër të institucionit të Komunës së Çairit. Kështu edhe dje reagimin ndaj nesh, ku nuk kishte asnjë përgjigje se pse kanë mashtruar dhe gënjyer për 12 vjet, e kishin bërë në emër të Komunës së Çairit, edhe pse reagimi kishte të bëjë jo me institucionin e Komunës, por me partinë që e ka pushtetin komunal”.
Ibrahimi ka thënë se në këtë mënyrë ata po e ndihmojnë këtë fushatë. “Të dashur qytetarë, kjo është Komuna e Çairit, që është e kapur peng nga Partia, të cilën ne do ta çlirojmë më 15 tetor”, ka deklaruar Ibrahimi.
Ndërkohë, ai ka thënë gjithashtu se pushteti aktual i Komunës së Çairit në fushatën e vitit 2013 pati premtuar se në parkingun e Teatrit dhe në hapësirën pas ambulancës, do të ndërtojë garazh në kate.
“Dhe, kur jemi këtu ne përsëri i kemi dy pyetje: A i shihni diku ju këto parkingje në kate?
Dhe, meqë përgjigjen tashmë e dimë të gjithë, pyetja tjetër është: Nëse dje kryetari i Komunës nuk e ka mbajtur premtimin, pse qytetarët sot duhet t’i besojnë kandidatit tjetër të po kësaj partie?”, ka thënë Ibrahimi.
Ai ka thënë se nëse një herë gënjen dhe e thyen premtimin, gjithë jetën mbetesh gënjeshtar, ndërsa nëse gënjen 12 vjet rresht dhe pa fund herë, kjo bëhet detyrë e vështirë për t’u llogaritur edhe për matematikanët më të mirë.
“Për fund ju premtojmë se kaosin me parkingjet do ta zgjidhim detyrimisht në katër vitet e ardhshme me planin e ri që do ta hartojmë vetëm për parkingjet në Çair, e që do të bëhet vetëm pasi ta kemi pasqyrën reale se a kanë lënë ndonjë pronë të pauzurpuar publike këta mjeshtër të abuzimit të pronës publike. Ne nuk premtojmë gjëra vetëm për të marrë vota, sepse ne nuk e kemi ndër mend ta braktisim Çairin pasi ta kryejmë mandatin. Ne angazhohemi për një jetë të re në Çair. Shihemi nesër. Kështu deri në çlirimin e Çairit”, ka deklaruar Ibrahimi. /SHENJA/

