Ministri i Drejtësisë Igor Filkov ka reaguar ashpër ndaj protestave lidhur me provimin e jurisprudencës, duke kundërshtuar çdo përpjekje për ta politizuar këtë çështje.
Ai theksoi se provimi i jurisprudencës nuk është çështje politike, por e profesionalizmit, kompetencës dhe respektimit të rendit juridik të shtetit. Sipas tij, përpjekjet për ta paraqitur kërkesën ligjore për njohjen e gjuhës maqedonase si diskriminim përbëjnë manipulim të opinionit publik dhe rrezik për rendin kushtetues.
“Gjuha maqedonase është gjuhë zyrtare në gjithë territorin e shtetit dhe bazë e sistemit institucional dhe juridik. Është e papranueshme që çështje të tilla të përdoren për përfitime politike apo për krijimin e tensioneve ndëretnike,” u shpreh ai.
Filkov shtoi se provimi i jurisprudencës zbatohet sipas ligjeve dhe standardeve në fuqi, duke theksuar se asnjë presion nga rruga nuk mund të ndryshojë kriteret profesionale. Ai rikujtoi se e drejta për protestë mbetet demokratike, por nuk mund të shndërrohet në mjet për rrëzimin e standardeve në sistemin e drejtësisë.
Ministria e Drejtësisë mbetet e hapur për dialog institucional, por nuk do të lejojë, sipas tij, zhvlerësimin e sistemit juridik dhe rolit të gjuhës maqedonase si shtyllë e rendit shtetëror. Reagimi i tij vjen një ditë pas protestës së dytë të studentëve me kërkesen për dhënien e provimit të jurisprudencës në shqip, por edhe zbatim më të gjerë të gjuhës shqipe.


