28 Dhjetor
Oda e burrave, veshjet dhe ushqimet tradicionale shqiptare të kombinuara me mësimdhënien e lëndës së historisë nën prizmin e teknologjisë informatike sot u shpalosën para një numri të madh të mysafirëve, nxënësve dhe profesorëve të gjimnazit Zef Lush Marku në Shkup. Nxënësit që defiluan me veshje kombëtare porositën të rinjtë që të rruhen këto vlera dhe veshjet tradicionale shqiptare të përdoren të paktën nëpër manifestime familjare.
“Kjo veshje që mbaj unë është veshje tipike shqiptare që vjen nga Kosova”.
“ Kjo është veshje e fshatit Patishka Rekë dhe dëshirojë që të gjithë vajzat dhe meshkujt ti veshin këto veshje se janë tepër tradicionale dhe kanë një kulturë tepër të bukur. Nëpër dasma dhe ahengje ne çdo herë i veshim këto veshje… Janë të shtrenjta, rrallë diku mund ti gjesh këto veshje. Ka shall, kjo është anterie, këmisha, çorapet, këpucët, këto të gjitha janë tradicionale”.
“Njohuri nuk kemi aq shumë, tash kemi filluar ti mësojmë por kish pas një porosi për të gjithë që të vishen këto rroba se vërtet janë të shkëlqyera”.
Sipas organizatorit dhe njëherit profesor i historisë Naser Miftari, ky event kishte për qëllim ligjërimin e mirëfilltë të historisë, pa manipulime dhe e njëjta të bëhet më e kapshme për gjeneratat e reja.
Kësaj here deshëm të bëjmë një inovacion duke e ngritur pak më lartë përdorimin e teknologjisë informatike kompjuterike në mësimdhënien e historisë. Është fakt se bota teknologjike është në një hov të madh të zhvillimit të saj dhe si imperativë i kësaj kohe paraqitet edhe tek ne mësimdhënësit e historisë për të bërë që brezat e rinj të ndihen gjithnjë e me komod në këtë drejtim për të qenë në hap me të gjithë të tjerët siç bëjnë në botën progresive – tha Naser Miftari, profesor.
Gjatë këtij manifestimi u ndanë mirënjohje për nxënësit më të dalluar të shkollës si dhe u promovua kënga kushtuar “Zef Lush Markut”.
Melihate Rustemi

