Në vend të 2 dhe 2.5 denarëve më shtrenjtë, qytetarët nga e hëna në mesnatë po mbushin karburant 4 deri 5.5 denarë më shtrenjtë në pompat e benzinës. Ndonëse ishte njoftuar se po negociohej me OKTA-n për vazhdimin e zbritjes prej 2 denarësh për benzinët dhe 3 për dizelin, kjo nuk ndodhi. Kështu tani qytetarët paguajnë 92 denarë për litër dizel, i cili me zbritjen e OKTA-s duhej të ishte 89 denarë, 89 në vend të 87 denarëve për benzinën BS 98 dhe 87 në vend të 85 denarëve për benzinën BS 95. Kryeministri Mickoski thotë se ende po negociohet me OKTA-n.
“Në këtë moment po negociojmë dhe do të vazhdojmë të negociojmë me OKTA-n, që zbritja të jetë sërish afërsisht ajo që e kishim. Do të shohim si do të rezultojnë ato negociata. Por fakti është se mbetemi vendi me çmimet bindshëm më të ulëta të karburanteve. Le të themi, fqinji ynë verior ka një presje nëntë euro për dizel, ne jemi një e gjysmë, rreth dyzet eurocent për litër më lirë. Fqinjët perëndimorë dhe jugorë janë mbi 2 euro për litër”, tha Hristijan Mickoski, kryeministër.
Zbritja që OKTA u jepte tregtarëve të naftës zgjati deri të hënën. Meqë çmimet e naftës në tregjet botërore po shkonin deri në 110 dollarë për fuçi, Qeveria fundjavën i zgjati masat për TVSH dhe akciza të reduktuara për karburantet. Ministrja e Energjetikës Bozhihovska ishte e bindur se disa ditë para skadimit të afatit të zbritjes nga OKTA, nëse është e nevojshme, do të negociohet sërish për vazhdimin.
“Po monitorojmë gjithçka që ndodh. Masat tona aktualisht janë deri më 18 maj. Disa ditë para skadimit të këtij afati do të shohim se ku jemi me çmimet dhe nëse është e nevojshme, do të negociojmë sërish me OKTA-n për vazhdimin e zbritjes. Po bëjmë gjithçka që është në interes të qytetarëve tanë”, deklaroi Sanja Bozhihovska, ministre e Energjetikës .
Por ku ngecën negociatat me OKTA-n dhe pse nuk vazhdoi zbritja, për momentin nuk ka informacione. Kjo zbritje nga OKTA filloi në mesin e marsit dhe deri tani është vazhduar disa herë.


