Kryeministri Hristijan Mickoski ka komentuar dyshimet për një aferë të mundshme spiunazhi në Kabinetin e Presidentes Gordana Siljanovska-Davkova, duke i quajtur ato “fundërrina spiunazhi nga e kaluara” që, sipas tij, po krijojnë panik në opinion, përcjell TV21. Ai kritikoi edhe Prokurorinë, duke përmendur prokurorin Islam Abazi, se po përpiqet të krijojë panik në opinion. Më tej, Mickoski tha se nuk dëshiron të komentojë më tej këto zhvillime, të cilat sipas tij nuk duhet të dramatizohen.
“Ato janë fundërrinë spiunazhi e shoqërisë, struktura nga e kaluara që kanë qenë të vendosura në kabinete si brejtës të disa politikanëve të mëparshëm, presidentëve, kryeministrave etj. dhe ata paraqiten si grup i të punësuarve dhe dërgojnë letra anonime në prokurori. Natyrisht, aty është Islam Abazi që menjëherë vrapon dhe krijon panik në opinionin publik se diçka po ndodh. Unë nuk do t’i komentoja këta brejtës sepse mendoj se duhet t’i harrojmë”, tha Hristijan Mickoski, kryeministër .


