13 October
Anëtarja e Këshillit Gjyqësor, Aleksandra Zafirovska e angazhuar për kontrollin e Gjykatës Penale, nuk ka vërejtur se në Gjykatën Themelore Shkupi 1 janë ndarë lëndë në dorë. Shkurt për Alsat Zafirovska tha se nuk ka pasur njohuri se sistemi AKMIS për ndarjen elektronike të lëndëve është manipuluar nga kryetarët e gjykatës, edhe pse në Këshillin Gjyqësor kanë qasje të drejtpërdrejtë në sistem. Ndryshe, Zafirovska është ish kryetare e Këshillit Gjyqësor. LSDM përmes bombave publikoi se përderisa ajo ka qenë kryetare e këtij trupi, e ka njoftuar kryeministrin e atëhershëm Nikola Gruevski, se kur do të shpallë konkurs për kryetarë të gjykatave.
Audio – Bombë
“AZ: Alo? LS: Alo, Mirdita. AZ: Mirdita. LS: Aleksandra, jam Lençja. Më keni kërkuar, më treguan koleget. AZ: Po vetëm një moment. (do të thotë, më pritni jashtë tani do t’ju thërras) Kështu… LS; e, po. AZ: U morëm vesh në takimin e kaluar, ta informoj kryeministrin, kur të… kjo…të shpall konkurs, para se të shpall konkurs për gjykatës. LS: Në rregull. AZ: Pra ta informoni se do të shpall konkurs për dy gjykatës të apelit Shkup… LS; në rregull. AZ: për kryetarë të gjykatës themelore Shkupi 1 dhe për kryetarë të gjykatës themelore Kratovë”.
Në kundërshtim me pohimet e Zafirovskës, informacionet e Komisionit të Ministrisë së Drejtësisë thonë se sistemi AKMIS nuk ka punuar me vite, ndërsa lëndët janë ndarë në dorë, praktikë që është instaluar edhe gjatë vendimeve për paraburgime. Jozyrtarisht Komisioni është bindur se kryetari aktual i Penales, Stojançe Ribarev, nuk ka ndarë lëndë në dorë për gjykatësit, gjë që ka qenë prezent tek paraardhësit e tij. Para Ribarevit, kryetar të kësaj gjykate ishin Tatjana Mihajlova dhe Vladimir Pançevski.
Bojan Stojanovski

