Pas rezultateve të zgjedhjeve lokale, kryeministri Zoran Zaev, thotë se nuk mendon për zgjedhje të parakohshme parlamentare, pasi mbështetjen e qytetarëve e sheh si përkrahje për punë. Megjithatë, nënvizon ai, nuk e përjashton mundësinë që të ndryshojë këtë qëndrim pas konsultimeve brenda partiake, por edhe me partnerët e koalicionit. Qëndrimin e këtillë Zaev e ka shprehur pas takimit me kryeministrin e Bosnjë e Hercegovinës, Denis Zvizdiq.
“Me siguri do t’i sjellim vendimet pas 29 tetorit, por unë sipas natyrës jam njeri punëtor dhe këtë mbështetje e shoh si mbështetje për punë, e jo përsëri për zgjedhje. Ky është qëndrimi im. Dua të dëgjoj mendime edhe nga partnerët e koalicionit, brenda në partinë time dhe ngjashëm, por ajo që më bën të lumtur, si rezultat, menjëherë më drejton në guxim plotësues në sjelljen e vendimeve”, ka deklaruar Zaev. /SHENJA/

