Në reagimin e parë pas rifillimit të negociatave për emrin me Greqinë, kryeministri Zoran Zaev tha se vendi përcolli mesazhin se ka vullnet për t’i zgjidhur çështjet e hapura me fqinjët. Zaev tha se OKB-ja ka rol të rëndësishëm ndërmjetësues, por se gjithsesi barra bie mbi dy shtetet.
Kemi përcjellë mesazh të fuqishëm për vullnet të sinqertë politik për ndërtimin e marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore dhe mbylljen e të gjitha çështjeve që janë pengesë për përmirësimin e këtyre marrëdhënieve. Kombet e Bashkuara janë forum për zgjidhjen e një pjese të këtyre çështjeve, por angazhimi patjetër të vijë nga vetë shtetet që përballen me sfidat- tha kryeministri Zoran Zaev.
Rifillimin e negociatave e përshëndeti drejtori i Zyrës së Departamentit të Shtetit për Çështjet Aziatike dhe Paqësore, Metju Palmer.
Një zgjidhje e mundshme e çështjes së emrit të Maqedonisë përmes negociatave që i udhëheq OKB-ja do të sillte siguri rajonale. E përshëndesim rifillimin e negociatave midis Maqedonisë dhe Greqisë për zgjidhjen e kësaj çështjeje- deklaroi Metju Palmer, Zyra e Departamentit të Shtetit për Çështjet Aziatike dhe Paqësore.
Lupço Petkovski nga Instituti Eurothink vlerëson se pavarësisht paralajmërimeve të Metju Nimiv se negociatat mund të rezultojnë me zgjidhje të çështjes, vitin e ardhshëm, skepticizmi ekziston.
Takimit mes Metju Nimicit dhe negociatorëve, nuk duhet të harrojmë se i parapriu diplomacia publike, këmbimi i sinjaleve pozitive dhe disa kontakte më të afërta që nuk ishin të dukshme për opinionin. Megjithatë duhet të jemi optimistë mesatar, sepse iniciativa të ngjashme ka pasur edhe në të kaluarën, por nuk dhanë frute. Prandaj ajo që duhet të na bëjë optimistë është zgjidhja e disa çështjeve që për kohë të gjatë dukeshin të pazgjidhshme, siç është Marrëveshja me Bullgarinë. Në këtë kontekst mendoj se optimizmi duhet të mbizotërojë- deklaroi Lupço Petkovski, Eurothink.
Megjithatë mediat greke e interpretojnë më ndryshe optimizmin e dalë nga takimi i djeshëm në Bruksel mes Nimicit me negociatorin e Maqedonisë, Vasko Naumovski dhe atë të Greqisë Ademantios Vasilakis. Portali “In.gr” shkruan se Greqia është nën presion të SHBA-ve për ta zgjidhur çështjen e emrit deri në verë, në të kundërt do ta anëtarësojnë Maqedoninë në NATO me referencën IRJM. Kjo gjë mund të shkaktojë krizë në koalicionin qeveritar të kryeministrit, Aleksis Cipras me partinë Grekët e Pavarur, në krye të të cilës është Panos Kamenos. Edhe portali “Eifimerida” shkruan se gjysma e parë e vitit 2018 është kohë ideale për zgjidhjen e problemit me emrin, sepse në qershor dhe korrik do të mbahet samiti i BE-së dhe ai i NATOs, ku SHBA-të presin të vendoset euro-integrimi i Maqedonisë, e gjithë kjo bëhet që të tejkalohet çështja e emrit dhe vetoja e mundshme e Greqisë.
Anesa Salihu

