Kryeministri Zoran Zaev deklaroi se takimet e përbashkëta në planin ekonomik të shteteve të rajonit para Evropës dëshmojnë angazhimin për krijim të tregut më të madh dhe interes më të madh për investim. Në takimin e liderëve ballkanikë në Durrës, Zaev e përcolli edhe përcaktimin e Republikës së Maqedonisë për bashkëpunim intensiv rajonal që do ta lehtësojë lëvizjen e mallrave dhe njerëzve dhe do të kontribuojë për zhvillim të ideve dhe projekteve të reja që do të mund të ishin tërheqëse për investuesit nga Evropa.
“Rajoni është i drejtuar drejt paqes dhe të ardhmes së përbashkët në integrimet euro-atlantike. Ka klimë pozitive për bashkëpunim dhe kjo do të kontribuojë ndaj përparimit të shteteve në integrimet euro-atlantike”, tha kryeministri Zaev.
Takimi i sotëm në Durrës është i përkushtuar në bashkëpunimin rajonal dhe Planin aksional për Zonë ekonomike rajonale, të dakorduar në korrik në Samitin në Trieste, Itali, dhe në të morën pjesë kryeministrat e Maqedonisë, Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi, Serbisë dhe kryesuesi i Presidencës së BeH-së, si dhe eurokomisari për zgjerim të BE-së, Johanes Han, dhe zëvendëskryetari i Bankës Botërore, Kiril Miler dhe përfaqësues rajonal të Bankës Botërore. /SHENJA/

