Gjatë dekadës së fundit, koncensionet dhe partneritetet publike-private janë kthyer në një formë instrument inga qeveria shqiptare për realizimin e projekteve me financim të madh infrastrukturor dhe shërbimesh publike. Disa nga këto forma bashkëpunimi, ku aplikimet janë të fushave të ndryshme përfshihen ndërtim i rrugëve, zhvillimi i porteve, fusha energjitike, ku mund të përmendim parqe fotovoltaike dhe hidrocentrale, sektori i shëndetësisë e shumë të tjera.
Disa nga këto projekte të njohura të kësaj natyre në vendin tonë janë Porti i Integruar Vlorë, ndryshe quajtur “Triport Vlorë”, projekti fotovoltaik “Karavasta Solar”, si dhe investimi strategjik me kapital të dyshuar me origjinë “offshore”, “Durrës Marina & Yachts”.
Ndonëse në teori, investime të tilla synojnë tërheqjen e vëmendjes nga sektori privat për një zhvillim të supozuar më të mirë të vendit, nga ana tjetër, zbatimi praktik i një pjese të këtyre kontratave ka nxitur debate të vazhdueshme publike dhe politike, ndërsa në disa raste janë ngritur dyshime për parregullsi dhe korrupsion.
Sipas deputetes së Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, lista e investimeve strategjike tregon se nuk ka nja investim të huaj dhe bien ë kundërshtim me qëllimin kryesor të ligjit për investimet strategjike: ardhja e investitorëve të huaj.
“Ligji është përdorur tërësisht në 80% të rasteve për të dhënë leje për resorte turistike dhe për të marrë prona publike ose private, për t’ia dhënë po të njëjtit grup njerëzish, që kanë tendera dhe koncensione”, thotë për “Vetting, deputetja Tabaku.
Gjetjet e “Vetting” vënë në pah ekzistencën e një modeli të përsëritur në mënyrën se si mund të jenë strukturar dhe zhvilluar këto iniciativa strategjike. Sipas hulumtimeve të redaksisë, procesi karakterizohet nga marrja e e projektit të caktuar nga një kompani e madhe, e huaj ose shqiptare, e cila pretendohet të ketë vite eksperiencë për të kryer projektin, kapital e shumë kritere të tjera. Pak kohë më vonë, këto kompani shesin kuotat e tyre në shuma simbolike deri në 3000 euro në struktura të tjera.
Këto të fundit janë kompani, të cilat ose janë hapur disa muaj para njoftimit të investimit madhor ose kanë disa kohë në treg, por nuk rezultojnë me eksperiencën e duhur, me shumën e parave të nevojshme për mbështetjen e projektit, të cilin kanë marrë përsipër për ta ndërtuar. Në disa raste po ashtu, kuotat e caktuara vendosen si kolateral në institucione bankare.
Avokati Redi Ramaj argumenton se janë investitorë të tillë, të cilët vijnë nga biznese ose fusha të cilat nuk njihen ose nuk kanë eksperiencë. “Thjesht me emra të tjerë, me futje të disa bizneseve me veprimtari të dyshimtë, vijnë dhe investojnë ose vijnë dhe sillen si investitorë strategjikë”, shton më tej Ramaj.
Sipas ekspertit ekonomik Zef Preçi, histori të ngjashme kanë ndodhur edhe në sfera të tjera, ku njihet si një praktikë e zakonshme, sidomos në vendet me institucione të dobëta, të korruptuara, të vendosura nën ndikimin e palëve të treta, siç mund të jetë krimi i organizuar.
“Për fat të keq është edhe veni ynë i tillë”, rrëfen Preçi. “Këto lloj investimesh nuk ndërmerren pa patur lobimet e duhura politike. Do të thotë që falë lobimeve politike, deri te fakti që bëjnë qoka në nivel ndërkombëtar.”
Praktika të tilla, sipas ekspertëve ngrenë dyshime mbi barazinë e konkurrencës, transparencën e procedurave dhe rrezikut për përfshirje në afera korruptive. Vëzhgimet vendosin në pikëpyetje dinamikën e këtyre projekteve, të cilat nuk përfundojnë me shpalljen e fituesve, por vijojnë në procese më pak të dukshme në syrin e publikut, shpesh të lidhura me dokumentacionin dhe vendimmarrjen e brendshme, duke vendosur kështu paratë e taksapaguesëve shqiptarë, në tavolina fitimprurëse.
Deputetja Jorida Tabaku argumenton se ndryshimi i pronësisë në ligj është një fakt i detyrueshëm.
“Është përdorimi i thjeshtë i një emri për të justifikuar marrjen e këtij projekti, për të fshehur pronarët e vërtetë. Më pas, në momentin që merret projekti, atëhere kjo fillon e transferohet nga njëri te tjetri, së pari për të fshehur gjurmët dhe së dyti, për ta çuar atë në pronarët e vërtetë që kanë marrë këtë kontratë koncensionare”, shpjegon në vazhdimësi Tabaku.


