Republika e Maqedonisë dhe Republika e Kosovës kanë marrëdhënie bilaterale dhe bashkëpunuese, konstruktive në të gjitha nivelet, pa çështje të hapura. Vizita në Kosovë është një mundësi për thellimin e marrëdhënieve të mira, tha sot kryeministri Zoran Zaev, i cili po bën një vizitë zyrtare në Prishtinë, përcjell Almakos.
Përmes profilit të tij në FB Zaev shkruan:
“Me kryeministrin Haradinaj dhe me ministrat e tjerë në Qeverinë e Kosovës, me kryetarin e kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe Presidentin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot kemi ardhur si udhëheqës të dy vendeve pa çështje të hapura. Ne jemi këtu për të shkuar një hap më tej, për të hapur mundësi të reja për përmirësimin e mëtejshëm dhe thellimin e marrëdhënieve tona reciproke. Jam i lumtur që jam kryeministri i parë i Republikës së Maqedonisë që erdhi për të vizituar Kosovën, “shkroi Zaev.
Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë me nderime shtetërore është përshëndetur para qeverisë së Kosovës nga kryeministri Ramush Haradinaj.
Përveç tij, kryeministri Zaev në Prishtinë duhet të takohet gjithashtu me Presidentin e Kosovës Hashim Thaçi dhe kryetarin e parlamentit të Kosovës Kadri Veseli.
Gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, Kryeministri maqedonas do të takohet gjithashtu me përfaqësuesit e komunitetit të biznesit maqedonas-kosovar.
Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, Ministri i Transportit dhe Lidhjeve Goran Sugareski, Ministri i Kulturës, Robert Alagjozovski, si dhe Ministri pa portofol përgjegjës për Diasporën Edmond Ademi, po ashtu janë në delegacionin maqedonas, të kryesuar nga kryeministri Zaev.
Vizita e Zaev është vizita e parë zyrtare e Kryeministrit të Republikës së Maqedonisë në Republikën e Kosovës./Almakos

