Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi me rastin e 2 gushtit, Ditës së Republikës ka mbajtur një fjalim në manifestimin qendror i cili u mbajt në “Meçkin Kamen”, në Krushevë, me ç’rast ka thënë se nderojmë heronjtë e Ilindenit të cilët këtu i dhanë jetët e tyre dhe me këtë e ndërtuan të tanishmen të cilën të gjithë e jetojmë, raporton Anadolu Agency (AA).
Në fjalimin e tij, kryeparlamentari Xhaferi ka cituar thekse nga Manifesti i Krushevës, përmes të cilit tha ai, udhëheqësit e Kryengritjes së Ilindenit, Nikolla Karev, Goce Dellçev, Dame Gruev, Pitu Guli dhe heronjtë tjerë të njohur dhe të panjohur kanë treguar se kanë pasur vlera dhe parime të larta të zhvilluara civilizuese për bashkësinë, tolerancën dhe respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut, pa dallim të fesë, përkatësisë etnike, gjinisë apo statusit social.
“Mendoj se të gjithë ne që sot jetojmë në këtë shtet të përbashkët, duhet të jemi krenarë që para më tepër se një shekulli paraardhësit tanë kanë folur dhe kanë luftuar për liri, për respektimin e të drejtave të njeriut, për bashkëjetesën dhe tolerancën, për shoqërinë multikulturore dhe multietnike”, tha Xhaferi.
Sipas tij, në këto njëzet e gjashtë vite pavarësi, qytetarët e vendit kaluan nëpër shumë trazira dhe kriza, megjithatë, ajo që është më me rëndësi është fakti që këto trazira dhe kriza te qytetarët, pa marrë parasysh dallimin e tyre etnik, fetar, politik ose cilitdo dallim tjetër, nuk e çrregulluan frymën e bashkimit, të bashkëjetesës.
“Ne e kemi një atdhe të përbashkët Republikën e Maqedonisë, dhe të gjithë ne jemi përgjegjës për ta ruajtur dhe zhvilluar, për ne dhe për brezat e ardhshëm. Njëkohësisht, të gjithë ne që jetojmë këtu ose së paku shumica e qytetarëve, ndajmë edhe një përcaktim të përbashkët, e nëse dëshironi edhe ëndërr të përbashkët, e kjo është integrimi i plotë në BE dhe NATO”, ka thënë mes tjerash Xhaferi.
Periudha e cila vijon, tha mes tjerash Xhaferi, kërkon shumë punë dhe vendime e zgjidhje serioze, ndoshta në shikim të parë vendime dhe zgjidhje mjaft të vështira, të cilat në një afat të arsyeshëm do ta tregojnë përfitimin për të gjithë qytetarët.
“Kuvendi i Republikës së Maqedonisë, këtu mendoj për të gjithë njëqind e njëzet (120) deputetë dhe administratën, ka kapacitet por besoj edhe vullnet politik ta plotësojë obligimin e vet që buron nga Plani qeveritar i njohur si 3-6-9. Jam i bindur se edhe shtyllat tjera të pushtetit, ekzekutivi dhe gjyqësori, gjithashtu kanë kapacitet t’i realizojnë obligimet e tyre”, tha ai.
Kryeparlamentari Xhaferi shprehu bindjen se kriza e fundit politike na mësoi se nuk guxojmë më t’i përsërisim gabimet tona dhe të vazhdojmë të jetojmë në rrethin magjik, i cili manifestohet me të tanishme jostabile dhe ardhmëri të paqartë.
“Besoj se, të gjithë ne, ngadalë por sigurt i tejkalojmë disa antagonizma të cilat nuk kanë rrënjë në historinë tonë të përbashkët, në bashkëjetesën dhe tolerancën tonë shekullore, dhe aq më pak në përcaktimet tona për të ardhme më të mirë në kuadër të familjes evropiane. Këtë ua kemi borxh të gjitha gjeneratave të mëparshme të cilat jetët e tyre i dhanë për Republikën e sotme të Maqedonisë, të lirë dhe të pavarur, por aq më tepër këtë ua kemi borxh gjeneratave të ardhshme”, tha Xhaferi në fjalimin e tij në manifestimin qendror të mbajtur në Krushevë.

